E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi, Italia përcakton sektorët ku i nevojiten punëtorët e huaj

Zbardhen procedurat për të aplikuar për punësim në shtetin italian. Dokumentet që duhet të paraqiten për të marrë leje qëndrimi për punësim

Jonida Tashi

Pas shpalljes së kërkesës për 80 mijë punëtorë të huaj, Italia ka përcaktuar sektorët përkatës ku i nevojiten forcat e punës. Kryesisht tregu italian i punës ka shfaqur nevoja për punëtorë të huaj në fushën e bujqësisë, për kujdestari në familje dhe punëtorë shtëpie, por edhe për sektorë të tjerë, siç janë ato të ndërtimit dhe fushat e ndryshme mekanike. Restorantet, hotelet dhe ambientet turistike që punësojnë staf sezonal për t’i ndihmuar gjatë periudhave kryesore turistike janë një tjetër sektor i tregut italian që ka nevojë për punëtorë. Gjatë periudhës së verës punëtorët nevojiten për bregdetin dhe liqenet, kurse në dimër për ambientet malore. Sipas autoriteteve italiane që merren me fushën e punësimit, më shumë se 50 për qind e fuqisë punëtore për bujqësinë vjen nga shtete jo anëtare të BE-së dhe sektorë të tërë varen nga punëtorët imigrantë, që nga vjelja e frutave dhe perimeve deri në blegtori.
Leja e qëndrimit
Të huajt që synojnë të qëndrojnë në Itali për më shumë se tre muaj duhet të kërkojnë leje qëndrimi. Ndërsa një i huaj që shkon në Itali për herë të parë, ka tetë ditë kohë në dispozicion për të paraqitur kërkesë për leje qëndrimi. Autoritetet italiane kanë përcaktuar rregullat e reja dhe dokumentet që nevojiten për të marrë leje qëndrimi sipas tipit të çdo lejeje. Pikësëpari, për t’u pajisur me leje qëndrimi është e domosdoshme të kesh: modulin e kërkesës; pasaportë apo dokument tjetër udhëtimi të barasvlershme, ose ende të vlefshme me vizën përkatëse të hyrjes, nëse kërkohet; një fotokopje të këtij dokumenti; katër fotografi të formatit tesër, identike dhe të kohëve të fundit; certifikatën e pagesës për procedurën telematike 14,62 euro; dokumentacionin e domosdoshëm sipas tipit të lejes së kërkuar të qëndrimit.
Punësim stinor
Cilido person që synon të lidhë marrëdhënie punësimi në Itali me një të huaj që qëndron jashtë, duhet të paraqesë pranë Sportelit Unik për Imigrimin te prefektura-zyra territoriale e qeverisë së provincës së tij/saj dokumentet si më poshtë: modulin e kërkesës me emër; fotokopjen e pasaportës apo një dokument tjetër udhëtimi të barasvlershëm; kopjen e kontratës së lidhur me të huajin; zotimin ndaj shtetit për të paguar shpenzimet e udhëtimit të punëtorit në vendin e tij në rast riatdhesimi.
Punëtori i huaj duhet që tashmë të mbajë një vizë të lëshuar nga konsullata italiane në vendin e tij të origjinës apo të rezidencës stabël. Humbja e vendit të punës nuk e zhvesh punëtorin e huaj dhe familjarët e tij nga e drejta e lejes së qëndrimit. Pasi si në rastin e largimit nga puna, ashtu edhe në atë të largimit me dëshirë, është i mundur regjistrimi në listat e punëkërkuesve për periudhën e mbetur të vlefshmërisë së lejes së qëndrimit dhe sidoqoftë, jo më të shkurtër se një vit (me përjashtim të punës stinore). Autorizimi për punë stinore mund të ketë një vlefshmëri minimale 20-ditore dhe maksimale 6-mujore. Për disa sektorë mund të kërkohet një vlefshmëri 9-mujore edhe në rastin e disa punëve afatshkurtra, që mund të kryhen pranë punëdhënësve të ndryshëm. Me t’u plotësuar kushtet, punëtori stinor mund ta shndërrojë/konvertojë këtë tip lejeje në leje për punë si punëmarrës me kohë të caktuar apo jo. Nëse i huaji respekton afatin e vlefshmërisë së lejes, duke u rikthyer në vendin e tij të prejardhjes, ka të drejtën e përparësisë për një periudhë të pastajme punësimi, krahasuar me bashkështetasit e tij që nuk kanë hyrë asnjëherë në Itali për motive punësimi.

Afatet për ripërtëritjen e lejes
Ai/ajo që tashmë është në Itali dhe e ka të skaduar lejen e qëndrimit duhet të kërkojë ripërtëritjen të paktën:
90 ditë para skadimit për leje qëndrimi të vlefshme për dy vjet;
60 ditë para skadimit për leje qëndrimi të vlefshme për një vit;
30 ditë para skadimit për leje qëndrimi për rastet e tjerë.

Vlefshmëria e lejes së qëndrimit
Vlefshmëria e lejes së qëndrimit është po ajo e vizës së hyrjes:
deri në 6 muaj për punë stinore dhe 9 muaj për punë stinore në sektorë që kërkojnë këtë zgjatje;
deri në një vit për ndjekjen e kurseve universitare apo të formimit profesional, natyrisht të dokumentuar;
deri në dy vite për punë si i vetëpunësuar, për punë si punëmarrës pa kufizim kohor dhe ribashkime familjare;
të huajt që vijnë në Itali për vizita, biznes, turizëm dhe studim për periudha jo më të gjata se tre muaj nuk ka nevojë të kërkojnë leje qëndrimi.

Leje qëndrimi në pritje të punësimit
Dokumentet
Praktika e plotësuar dhe e nënshkruar nga i interesuari
(Moduli 1 dhe 2)

Fotokopje e të gjithë pasaportës, apo të një dokumenti tjetër të barasvlershëm

Certifikatë e deklarimit të bërë pranë Qendrës për Punësim (Centro per L’impiego), (tashmë regjistrimi në listat e punëkërkuesve-iscrizione liste collocamento).
Shënim:
Humbja e vendit të punës nuk përbën motiv për anulimin e lejes së qëndrimit. I huaji, që zotëron leje qëndrimi për motive si punëmarrës (permesso di soggiorno per lavoro subordinato) dhe që humbet vendin e punës, edhe me dorëheqje, mund të regjistrohet në listën e gjendjes civile të Qendrës për Punësim (Centro per l’Impiego) për periudhën e vlefshmërisë së mbetur të lejes së qëndrimit, por sidoqoftë për një periudhë jo më të vogël se gjashtë (6) muaj.

Leje qëndrimi si punëmarrës
Dokumentet
Praktika e plotësuar dhe e nënshkruar nga i interesuari (Moduli 1 dhe 2).
Fotokopje e të gjithë pasaportës, apo dokumenti tjetër të barasvlershëm.
Për lëshimin lejes së qëndrimit si punëmarrës, modulet 1 dhe 2 plotësohen pranë Sportelit Unik mbi Imigrimin, pasi të paraqitet kontrata e qëndrimit si punëmarrës (permesso di soggiorno per lavoro subordinato).
Për kërkesën e ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, si punëmarrës duhet paraqitur kopje e kontratës së qëndrimit, si punëmarrës (lavoro subordinato), mes palëve, së bashku me dëftesën e marrjes së letrës rekomande, me të cilën ftoheni tek Sporteli Unik mbi Imigrimin kompetent, me përjashtim të rasteve, ku kontrata e qëndrimit me motive si punëmarrës (lavoro subordinato) nuk ka pësuar asnjë ndryshim, lidhur me kontratën e nënshkruar në momentin e hyrjes në Itali.
Shënim:
Leja e qëndrimit si punëmarrës lëshohet pas nënshkrimit të kontratës së qëndrimit për punësim (si punëmarrës). Kohëzgjatja e lejes së qëndrimit është ajo e parashikuar në kontratën e qëndrimit dhe sidoqoftë nuk mund të jetë më e gjatë se një vit, si punëmarrës për kohë të përcaktuar dhe dy vite për kontratën me kohëzgjatje të pacaktuar.
Leja e qëndrimit, si punëmarrës, apo i vetëpunësuar, si dhe për motive familjare mund të përdoret edhe për aktivitete të tjera, që i lejohen të huajit, edhe pa ndryshimin dhe ratifikimin e dokumentit për periudhën e vlefshmërisë të kësaj lejeje. Leja e qëndrimit si punëmarrës, jostinor lejon ushtrimin e aktiviteteve si i vetëpunësuar, përmes marrjes së titullit së aftësive, apo autorizimit, eventualisht i parashikuar për ushtrimin e aktivitetit profesional të ushtruar dhe gjithnjë me kusht që të plotësohen dhe kërkesat, apo kushtet e tjera të parashikuara nga normativa në fuqi për ushtrimin e aktiviteteve të punës të formës si i vetëpunësuar, si dhe për ushtrimin e aktivitetit të punës, me cilësinë e punëtorit ortak të kooperativës. Së bashku me ripërtëritjen lëshohet një leje e re qëndrimi për aktivitetin e ushtruar realisht.

Leje qëndrimi si punëmarrës stinor
Dokumentet
Praktika e plotësuar dhe e nënshkruar nga i interesuari (Moduli 1 dhe 2).
Fotokopje e të gjithë pasaportës, apo të një dokumenti tjetër të barasvlershëm (shihni tabelën nr.4).
Për lëshimin e lejes së qëndrimit, modulet 1 dhe 2 plotësohen pranë Sportelit Unik mbi Imigrimin, pas nënshkrimit të kontratës së qëndrimit si punëmarrës stinor (contratto di soggiorno per lavoro subordinato stagionale).
Për kërkesën e ripërtëritjes (rinovimit) të lejes së qëndrimit duhet paraqitur kopja e kontratës së qëndrimit si punëmarrës stinor (permesso di soggiorno per lavoro subordinato stagionale), e nënshkruar mes palëve, e shoqëruar nga dëftesa (ricevuta) e marrjes së letrës rekomande me përgjigje, me të cilin ftoheni në Sportelin Unik mbi Imigrimin kompetent.
Shënim:
Autorizimi për punë stinore (l’autorizzazione al lavoro stagionale) ka vlefshmëri nga 20 ditë në një periudhë maksimale nëntë muaj, sipas kohëzgjatjes së punës stinore të kërkuar, duke iu referuar edhe përfshirjes së grupeve të punës për periudha edhe më të shkurtra, pranë punëdhënësve të ndryshëm. Leja e qëndrimit për punë stinore shumëvjeçare (Il permesso di soggiorno per lavoro subordinato stagionale pluriennale) kërkohet pranë Zyrës së Imigrimit të kuesturës kompetente.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›