Doris Pak: “Serbia do që Kosova të ndahet”
Eurodeputetja e Parlamentit Europian, Doris Pak, beson se incidentet në Mitrovicë kënaqin dëshirën e Beogradit, i cili do të dëshmojë se pavarësia në Kosovë nuk funksionon. Në një prononcim për mediat gjermane, Pak tha: “Çdo incident në Kosovë shihet me sy të mirë në Beograd, pasi kryeqendra serbe dëshiron t’i përdorë këto incidente si një dëshmi se pavarësia e deklaruar nuk po funksionon“. Një gjë është e ditur, - shtoi Pak, - se serbët e Mitrovicës jetojnë nga mbështetja e Beogradit, i cili nuk e njeh qeverinë e Kosovës. “Gjithashtu, kjo do të thotë se serbët nuk kanë interes që në Veri të vendoset paqja pasi duan të arrijnë qëllimin e ndarjes së Veriut, gjë që nuk e dëshiron askush përpos Beogradit”, - theksoi eurodeputetja gjermane.
Vritet mjeku në Prizren, vetëdorëzohet vrasësi
Një mjek ortoped është vrarë dje në Prizren për arsye banale. 47-vjeçari Ndue Gega u qëllua rreth orës 16:00 nga shtetasi Xhon Pnishi, 44 vjeç, teksa po dilte nga ndërtesa e spitalit. Policia e Kosovës njoftoi se Gega u plagos rëndë dhe 30 minuta pas sulmit ndërroi jetë në dorën e kolegëve të tij. Pas krimit, autori i vrasjes, Xhon Pnishi, u paraqit në polici për t’u dorëzuar. Viktima punonte si mjek ortoped në Spitalin e Prizrenit. Ai banonte në fshatin Shpenadi, Komuna Prizren. Në momentin e plagosjes sapo kishte dalë nga vendi i tij i punës. Mjeku Gega u dërgua nga emergjenca në spital me shenja jete. Por, edhe pse mjekët luftuan për jetën e tij, rreth orës 16:30 kolegu i tyre vdiq si pasojë e plagëve të shumta. I dyshuari si autor u largua nga vendi i ngjarjes me makinën e tij Mercedes, të tipit të vjetër, me ngjyrë të kuqe. Një orë pas krimit, Pnishi, nga fshati Meje, Komuna Gjakovë, u vetëdorëzua te patrulla e policisë.
9 Janar 2009