E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon terrori, Libani sulmon me raketa Izraelin



Blerina Olldashi
Për herë të parë që prej fillimit të ofensivës izraelite në Rripin e Gazës para 13 ditësh, Izraeli Verior është goditur nga disa raketa që janë lëshuar nga territori libanez. Policia bëri të ditur se pesë persona u plagosën lehtë nga disa raketa që kishin rënë mbi qytetin bregdetar Naharija. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se Izraeli ishte kundërpërgjigjur duke qëlluar mbi zonën nga ishin lëshuar raketat. Lidhur me ngjarjen, Grupi Hezbollah bëri të ditur se nuk kishte gisht në sulmet me raketa nga Libani drejt disa qyteteve izraelite. Lëvizja shiite libaneze njoftoi qeverinë libaneze, në të cilën bën pjesë, se nuk ishte përgjegjëse për këto akte. Ndërkaq, qeveria izraelite tha se sulmet u kryen nga ekstremistë palestinezë, që kanë baza në Libanin Jugor. Sulmi me raketa pasoi njërën nga netët më intensive të ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite tha se kishte kryer 60 sulme ajrore gjatë natës, disa prej të cilave kishin në objektiv tunelet në afërsi të kufirit mes Egjiptit dhe Gazës. Burimet palestineze thanë se gjatë këtyre sulmeve ajrore ishte shkatërruar një xhami. Ndërkohë avionët izraelitë goditën një nga makinat e Kombeve të Bashkuara, e cila po shpërndante ndihma humanitare në Rripin e Gazës dhe si pasojë mbeti i vdekur shoferi i automjetit. Një zëdhënës i organizatës ndërkombëtare bëri të ditur se sulmi ndodhi gjatë 3 orëve të armëpushimit, të vendosur nga Izraeli për shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe karburantit. Presioni ndërkombëtar mbi Izraelin dhe Hamasin për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi po shtohet. Një zyrtar i lartë izraelit shkoi dje në Kajro për t’u njohur me hollësitë e propozimit të Francës dhe Egjiptit për arritjen e një armëpushimi. Ministri i Jashtëm egjiptian, Ahmed Abdul Gheit, deklaroi se shpresonte që dy fazat e para të marrëveshjes së armëpushimit që është propozuar, ndërprerja e menjëhershme e luftimeve dhe rihapja e pikëkalimeve kufitare me Gazën, të kryhen brenda 72 orësh. Ambasadori egjiptian në Kombet e Bashkuara, Maxhid Abdel Aziz, tha se vendet arabe nuk mund të prisnin derisa Këshilli i Sigurimit të miratonte ndonjë rezolutë, sepse situata në Rripin e Gazës ishte shumë urgjente. Libia ka hartuar një projektrezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, megjithatë ajo kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera me argumentin se teksti i projektrezolutës është i njëanshëm dhe shumë kritik ndaj Izraelit.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›