Prokuroria, ende asnjë rezultat për tragjedinë e Poliçanit
POLIÇAN – Megjithëse kanë kaluar 72 orë nga tragjedia e Poliçanit, ku gjeti vdekjen një grua dhe u plagosën dy të tjerë në mjediset e Kombinatit Mekanik, sërish organi i akuzës nuk ka dalë në një rezultat përfundimtar për ngjarjen. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Beratit ende nuk kanë nxjerrë konkluzionet për shpërthimin e ndodhur në mjediset e Kombinatit, ku bëhej demontimi i municioneve. Në këtë proces kanë marrë pjesë edhe ekspertë të Prokurorisë së Përgjithshme. Deri tani, autoritetet qendrore, por edhe drejtuesit e Kombinatit Mekanik të Poliçanit, e kanë konsideruar ngjarjen një gabim njerëzor. Sipas tyre, nuk janë konstatuar shkelje të rregullave të sigurimit teknik në mjediset e brendshme të uzinës, ku bëhet demontimi i municioneve të llojeve të ndryshme. Në ndryshim nga Ministria e Mbrojtjes dhe drejtuesit e ndërmarrjes shtetërore, sindikatat dhe ish-punonjësit e Kombinatit, pohojnë se nuk janë zbatuar rregullat e sigurimit teknik. Sipas tyre, vdekja e Suzana Kapxhiut dhe plagosja e Krenar Hysit 45 vjeç dhe Adriatik Hasanbelliut, 46 vjeç, ka ndodhur për shkak të moszbatimit të rregullores së sigurimit teknik. Dy ditë më parë, përmes mediave, drejtuesit e sindikatave kanë akuzuar edhe drejtorin e ndërmarrjes ku ndodhi tragjedia, i cili, sipas tyre, ishte shkarkuar nga posti i drejtorit të Ujësjellësit pas skandalit të epidemisë në Poliçan dhe është vënë në krye të Kombinatit Mekanik menjëherë pas kësaj ngjarjeje. Sipas sindikatave, drejtuesit e rinj në Poliçan kanë shkarkuar të gjithë specialistët e ushtrisë dhe kanë vënë civilë.
Ditën e martë në mëngjes, rreth orës 8.10, teksa po ngroheshin 6 punonjës në mjediset e Kombinatit Mekanik, ka shpërthyer një diegore, duke sjellë vdekjen e punonjëses Suzana Kapxhiu dhe plagosjen e dy të tjerëve. Kjo ngjarje vjen disa muaj pas tragjedisë së Gërdecit, ku megjithë alarmin e dhënë, duket se ende nuk janë marrë masat në qendrat e demontimit dhe depozitimit të armëve dhe municioneve luftarake.
9 Janar 2009