E Diel, 1 Nëntor 2026

I jep fund jetës me pesticide 57-vjeçari nga Elbasani



ELBASAN - Një tjetër shtetas i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar, pas dy rasteve që ndodhën në Durrës ditën e martë dhe të mërkurë. Kësaj radhe një 57-vjeçar në fshatin Jatesh të komunës Papërr, në rrethin e Elbasanit, i dha fund jetës mëngjesin e djeshëm. Sipas policisë, viktima e vetëhelmimit mbërriti në spital në gjendje të rëndë dhe nuk ka mundur të mbijetojë edhe pas ndërhyrjes së mjekëve, thonë burimet policore. Mësohet se ende nuk është përcaktuar lloji i helmit që ka pirë, por sipas mjekëve duhet të ketë qenë një pesticid tepër i fortë që ka pasur efekt të menjëhershëm vdekjeprurës. Ai është sjellë në spital nga të afërmit e tij, të cilët nuk kanë dhënë asnjë motiv rreth ngjarjes. Dyshimet e para janë për një gjendje të rënduar depresioni, por policia deklaron se do të dalë me version zyrtar, pasi të mbyll hetimet për ngjarjen.

Kamionçina i merr jetën 55-vjeçares, policia i gjeti armë viktimës

SHKODËR – Një kamionçinë ka përplasur një shtetase në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë, duke shkaktuar vdekjen e saj. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në superstradën Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Kryebushat. 55-vjeçarja Fatbardha Mustafa, nga fshati Kosmaç, komuna e Bushatit, është përplasur teksa ecte rrugës për në banesën e saj nga një automjet tip “Benz” kamionçinë, i cili drejtohej nga shtetasi Edmir Bilali, 30 vjeç, me banim në Shkodër. Gruaja është dërguar në spitalin e qytetit nga kalimtarë të rastit, por ka ndërruar jetë rrugës për në spital për shkak të hemorragjisë. Policia sqaron se viktimës i është gjetur edhe një pistoletë, të cilën ajo e mbante pa leje. Sipas burimeve, gruaja zotëronte armën e zjarrit për vetëmbrojtje, pasi kishte pasur një konflikt me një bashkëfshatarin e saj. 55-vjeçarja është viktima e parë për këtë fillimviti në qarkun e Shkodrës. Burimet policore raportojnë se është ndaluar shtetasi Edmir Bilalit dhe po heton për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›