Zbulohet vrasja e 1997-s, autori ishte dënuar për një tjetër krim në Tiranë
VLORË - Policia e Vlorës ka mundur të zbardhë një nga ngjarjet kriminale që kanë bërë bujë në qytetin e Vlorës në vitin 1997, duke gjetur autorin që ishte dënuar në kryeqytet për një tjetër krim. Vrasja e ndodhur ndër të parat në prill të 1997-s, në afërsi të zonës së Spitalit Rajonal të Vlorës, pikërisht në lagjen “Partizani”, është zbardhur vetëm 11 vjet më vonë nga Policia dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Vlorës. Më 21 prill të 1997-s ka mbetur i vrarë Ali Alizoti, lindur në Delvinë e banues në Sarandë. Hetimi për gjetjen e autorit të kësaj vrasjeje nisi në 1999-n, por u pushua për mungesë provash në 2002-shin. Vetëm në vitin 2008, prokuroria dhe policia mundën të rihapin dosjen dhe të vijojnë hetimin.
Pas një sërë hetimesh u mundësua identifikimi i autorit të kësaj vrasjeje, 38-vjeçari nga Tirana Zamir Memi, i cili aktualisht vuan dënimin për një tjetër vrasje që ka kryer në Tiranë. Policia e Vlorës, nëpërmjet zëdhënësit të saj Saimir Koçiaj, ka bërë të ditur dje se është bërë ekzekutimi i vendimit të gjykatës që i jep Zamir Memit “arrest në burg” për vrasjen e ndodhur më 21 prill 1997 në Vlorë, dënim që do t’i shtohet masës së dënimit që Zamir Memi po e vuan aktualisht në Burgun e Vaqarrit në Tiranë për një tjetër vrasje. Policia ka mundur të gjejë provat e mjaftueshme që përcaktojnë si të dyshuar kryesor për këtë vrasje pikërisht Zamir Memin, në atë kohë 27 vjeç. Vrasjen e ka kryer në bashkëpunim dhe vijon hetimi për gjetjen e bashkëpunëtorëve. Zamir Memi, i burgosur në Vaqarr, tashmë do të përgjigjet përpara drejtësisë edhe për një tjetër vrasje, vepër penale e parashikuar në Nenet 76 dhe 25 të Kodit Penal. Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Vlorës është bërë në Burgun e Vaqarrit, ndërsa hetimet vijojnë.
9 Janar 2009