“Gazprom”: Gaz për Europën vetëm pas vëzhgimeve të BE-së
Furnizimet me gaz drejt Europës do të rifillojnë kur të mbërrijnë vëzhguesit e BE-së në Ukrainë, - kjo ishte deklarata e numrit 1 të kompanisë “Gazprom”, Aleksei Miller, në përfundim të takimit me Presidentin e Parlamentit Europian, Hans Gert Poetering. “Marrëveshja jonë me Bashkimin Europian parashikon që kur vëzhguesit të mbërrijnë në Ukrainë dhe të kenë akses në sektorët e interesuar, ne do të rifillojmë furnizimet me gaz në 100 për qind”, - pohoi Miller. Bisedimet mes krerëve të gjigantit rus të gazit “Gazprom” dhe kompanisë ukrainase “Naftogaz” përfunduan pa rezultate konkrete. Lajmi u bë i ditur nga kompania “Naftogaz”, e cila sqaroi se në bisedimet me gjigantin e gazit nuk u arrit asnjë marrëveshje. Megjithatë, pritet që bisedimet të vazhdojnë në ditët në vijim. Ky ishte takimi i parë i drejtuesve të “Gazpromit” dhe “Naftogazit” që kur Rusia ndërpreu furnizimin e Ukrainës me gaz para një jave. Zëdhënësi i “Gazpromit”, Sergej Kuprijanov, para dy ditësh tha se në Bruksel do të diskutohej se si mund t’i jepet fund asaj që ai e quajti krizë që po thellohet. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, i kanë kërkuar Bashkimit Europian që të dërgojë vëzhgues për të vërtetuar se cila prej tyre është përgjegjëse për krizën. Ukraina i ka hedhur poshtë akuzat e Moskës se ajo po vjedh gazin që kalon tranzit përmes territorit të saj.
9 Janar 2009