Doris Pak: “Vendet myslimane në Ballkan do të kthehen në geto”
Europarlamentarja Doris Pak hedh nota të ashpra kritikuese për BE-në, e cila ka lënë jashtë procesit të liberalizimit të vizave Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Ajo ka shprehur “habinë” për faktin se si mund bëhen dallime kaq të mëdha në një rajon kaq të ngushtë siç është Ballkani. Në bazë të vendimit të fundit të BE-së, prej 2010-s, qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë do të udhëtojnë pa viza në hapësirën e Shengenit. Detyrimi për viza mbetet për Bosnjën, Shqipërinë e Kosovën, që sipas komisionerit përkatës Barrot, plotësimi i kushteve nga këto vende do të jetë në një të ardhme të afërt. Por, nga ana tjetër, ai propozon bashkëpunimin e këtyre vendeve me Brukselin. Ndërsa europarlamentarja Doris Pak flet për rregulla të reja në BE, por kritikon faktin se shumë qytetarë mbeten jashtë këtyre rregullave. “Nuk e besoj se mund të bëhen dallime kaq të mëdha në një rajon kaq të ngushtë. Në veçanti, në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, kemi të bëjmë me dënimin e një populli, i cili ka vajtuar më së shumti për shkak të gjendjes atje. Në qoftë se Bosnjë-Hercegovina nuk e fiton të drejtën e udhëtimit të qytetarëve pa viza, ndërsa Kroacia dhe Serbia e fitojnë këtë të drejtë, atëherë kroatët dhe serbët do të kenë përparësi. Myslimanët do të getoizohen, që me siguri nuk është mirë”, - është shprehur ajo. Sipas Doris Pak, politikanët në Bosnjë nuk i kanë kryer detyrat e tyre dhe janë përgjegjës për vazhdimin e regjimit të vizave. Ajo mendon se duhet ushtruar presion ndaj politikanëve që të kryejnë detyrat e tyre. “Problemi është që politikanët në rajon nuk i marrin fare seriozisht problemet e gjeneratave të reja. Politikanët mund të lëvizin pa viza dhe luftojnë vetëm për idetë e tyre nacionaliste. Asnjë nuk përpiqet ta forcojë shtetin”, - vijoi ajo. Komisioni Europian është i mendimit se në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Shqipëri ende nuk janë plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, dhe kjo për shkaqe financiare.
21 Shtator 2009