Vështirësohen negociatat për emërimin e zëvendësministrave të rinj
Eljona Ballhysa
Emërimi i zëvendësministrave të rinj duket se është kthyer në problemin kryesor të kryeministrit Berisha. Ndërsa e pati të lehtë të vendoste për emrat e ministrave, burimet tregojnë se shefi i Ekzekutivit po has në vështirësi për emërimin e zëvendësministrave të rinj. Burimet bëjnë të ditur se aleatët e Berishës po bëjnë presion për të marrë poste zëvendësministrash, në një kohë kur shefi i qeverisë kërkon të shpërblejë dhe anëtarët e partisë së tij. Por gjithashtu mbeten të hapura negociatat me aleatët që kanë fituar në zgjedhje, por edhe me ata që nuk kanë arritur të marrin asnjë mandat ligjvënësi. Ndaj dhe burimet zbulojnë skemën e Berishës, atë të shtimit të posteve zëvendësministrore. Në mënyrë që të kënaqë orekset e të gjithëve, si të aleatëve, ashtu dhe të anëtarësisë së PD-së, Berisha pritet të shtojë numrin e zëvendësministrave. Dikasteret më të rëndësishme ministrore pritet që nga dy të kenë 3 zëvendësministra.
Kërkesat
Një ndër aleatët e Partisë Demokratike që fitoi një karrige deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit është Partia për Drejtësi dhe Integrim që përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri. Kjo parti mbeti pa përfaqësim me portofol ministror në qeverinë e re, megjithëse e kishte kërkuar një gjë të tillë. Ndaj synimi i saj është të marrë të paktën dy poste zëvendësministrash. Pritet që kryeministri Berisha të firmosë këtë kërkesë të PDI-së së shpejti. Marrëveshja me Lëvizjen Socialiste për Integrim përveç katër posteve ministrore parashikon jo pak, por plot shtatë poste zëvendësministrash. Burimet bëjnë të ditur se për shkak të mosmarrëveshjeve brenda LSI-së ende nuk janë zyrtarizuar emrat e anëtarëve të kësaj partie, që është aleatja kryesore e PD-së në qeveri, e cila do të mbajnë poste zëvendësministrash. Nga ana tjetër, Berisha do t’i japë Partisë Republikane, në bazë të marrëveshjes, 2 poste ministrore. Në pritje për një post janë edhe aleatët e tjerë të PD-së me të cilët u fut në zgjedhjet e 28 qershorit. Ata, megjithëse nuk arritën të fitojnë një karrige në Kuvend, votat që ata morën i kaluan si përqindje PD-së, çka tregon kontributin që këto parti i dhanë aleatit kryesor për të fituar zgjedhjet. Ndaj, në këmbim duan një post qeverisës, që mund të jetë dhe post zëvendësministri. Të tillë aleatë janë Ekrem Spahiu i PLL-së, Neritan Ceka i PAD-së, Nikollë Lesi i LDK-së, Lufter Xhuveli i PAA-së e të tjerë.
Skema
Përveç posteve që Berisha, në bazë të marrëveshjeve, do t’ua japë aleatëve, ai duhet të mendojë edhe për postet që do të zëvendësojë dhe që mbeten bosh për shkak se ish-zëvendësministrat e dikurshëm tashmë janë deputetët e rinj të PD-së. Por, e vështirë, sipas burimeve, është për Berishën të marrë konsensusin e anëtarësisë së PD-së për emrat e rinj që vijnë nga radhët e kësaj partie. Qëllimi është të kënaqë sa më shumë mbështetës dhe anëtarë të partisë dhe të shmangë pakënaqësitë. Sipas burimeve, skema e Berishës është rritja e numrit të zëvendësministrave. Megjithëse ai arriti të krijojë një kabinet qeveritar në dietë, këtë parim nuk mund ta zbatojë në rastin e zëvendësministrave. Kjo edhe për faktin se Berisha nuk do t’i lëshojë kollaj postet e drejtorëve të Përgjithshëm, apo të prefektëve. Pikërisht këto poste ai po përpiqet t’i mbajë për anëtarët e PD-së në mënyrë që t’i ketë me lehtë për t’i kontrolluar, por edhe për faktin se janë poste më të rëndësishme dhe kanë mundësi të kontrollojnë fonde të ndryshme investimesh.
Zëvendësministrat aktualë
Anton Gurakuqi - zëvendësministër i Punëve të Jashtme
Edith Harxhi - zëvendësministre e Punëve te Jashtme
Adriatik Alimadhi - zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Iva Zajmi - zëvendësministre e Brendshme
Ferdinand Pone - zëvendësministër i Brendshëm
Petrit Karabina - zëvendësministër i Mbrojtjes
Zana Xhuka - zëvendësministre e Mbrojtjes
Albert Gajo - zëvendësministër i Integrimit
Jorida Tabaku - zëvendësministre e Integrimit
Ermal Dobi - zëvendësministër i Drejtësisë
Neritan Alibali - zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Enno Bozdo - zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Stavri Ristani - zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Ernest Noka - zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Halit Shamata - zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës
Marieta Zaçe (Pronjari) - zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Kastriot Sulka - zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Zamira Sinoimeri - zëvendësministre e Shëndetësisë
Arben Ivanaj - zëvendësministër i Shëndetësisë
Ndoc Fasllia - zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Ndue Preka - zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Ekrem Spahiu - zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Suzana Turku - zëvendësministre e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Taulant Bino - zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Aleksandër Garuli - zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Deputetët e rinj
Gent Strazimiri - zëvendësministër i Brendshëm
Sherefedin Shehu - zëvendësministër i Financave
Florion Mima - zëvendësministër i Financave
Paulina Hoti - zëvendësministre e Drejtësisë
Ardiana Gjonaj (Kumbaro) - zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës
21 Shtator 2009