E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Balla: S'kthehemi në Parlament pa zbardhur zgjedhjet

Deputeti socialist Taulant Balla në një prononcim për median nga selia rozë deklaron se PS ndodhet në këtë marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur zgjedhjet dhe votën e lirë. 

TIRANE- PS ripërsërit qëndrimin e bojkotit të Parlamentit deri në zbardhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Deputeti socialist Taulant Balla në një prononcim për median nga selia rozë deklaron se PS ndodhet në këtë
marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur zgjedhjet dhe votën e lirë.

“Nuk mund të kthehemi në atë parlament, nëse nuk na respektohet e drejta jonë, e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Ne do të jemi në Parlament vetëm atëherë kur të na garantohet hetimi i kutive të votimit, rikthimi në punë i opozitarëve, ndëshkimi me ligj i urdhëruesve të lirimit nga burgjet të kriminelëve që bënë fushatë dhe presion për të votuar pushtetin.”
Deputeti socialist vazhdoi më tej se socialistët janë të bindur në vazhdimin e këtij aksioni politik për t’i rikthyer- sic thonë ata “institucioneve demokratike legjitimitetin e munguar”

“As Sali Berisha dhe as ndonjë mjeran tjetër që vrapon pas karriges dhe interesave nuk mund të na ndalë ne nga angazhimi ynë historik për t’i rikthyer institucioneve demokratike legjitimitetin e munguar”- nënvizoi Balla

Ai akuzoi kryeministrin Berisha se nuk mund t'i garantojë shqiptarëve suksesin e proceseve integruese dhe lëvizjen e lirë, për të cilat gjatë legjislaturës së fundit, me kontributin e bashkëpunimin e deputetëve të Partisë Socialiste, u miratua kuadri i domosdoshëm ligjor.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›