Presidenti Topi uron besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi, u uroi dje Festën e Fiter Bajramit besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo ku ndodhen. Në mesazhin e urimit dërguar në Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, kreu i shtetit shqiptar thekson:
“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Gëzuar e për shumë vjet Festën e Fiter Bajramit! Është dëshirë dhe kënaqësi e veçantë t’u përcjell gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo ku ndodhen urimet më të mira e më të përzemërta me rastin e Festës së Fiter Bajramit! Uroj që kjo ditë e kulmit të pastrimit dhe kthjelltësisë shpirtërore, pas një muaji të madhërishëm agjërimi e përkushtimi, t’ju ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, me zemrat plot dashuri për familjet e të afërmit, me më tepër ndjenjë atdhedashurie!” - shkruan presidenti Topi. Ai ka shprehur dëshirën që nëpërmjet këtij mesazhi të jetë pranë çdo familjeje shqiptare. “Dëshiroj të jem pranë jush, pranë çdo familjeje e vatre shqiptare, për të ndarë së bashku vlerat e rralla njerëzore të mirësisë dhe dashurisë, ndershmërisë dhe tolerancës, ndihmës dhe sakrificës për të gjithë njerëzit në nevojë. Harmonia dhe toleranca, përjetimi së bashku i festave të njëri-tjetrit dhe adhurimi për të Plotfuqishmin përbëjnë visaret e pashembullta të bashkëjetesës fetare të kombit tonë, virtyte që ne i kemi trashëguar brez pas brezi, ndër shekujt, nga të parët tanë dhe me të cilat do të pasurojmë edhe mozaikun e vlerave të familjes së përbashkët europiane ku synojmë të hymë së shpejti. Gëzuar edhe një herë dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve, familjet tuaja, Shqipërinë e kombin shqiptar!” - shkruan kreu i shtetit.
21 Shtator 2009