Dortmundi kurrë s’mund ta zë Bayernin

Dortmund synon të hyjë në histori duke fituar titullin në Bundesligë për vitin e tretë të njëpasnjëshëm pasi mundi bavarezët në garë gjatë dy edicioneve të kaluara. Por, pavarësisht suksesit të Dortmundit në vitet e fundit, Hoeness tha për Bild se ata ende gjenden prapa Bayernit sa i përket famës.
“Nuk mendoj se Dortmundi na ka kaluar në aspektin e marketingut. Dortmundi është më tepër regjional kurse Bayerni ka emër global”, u shpreh ai. “Kur ecni në një bulevard në Pekin dhe kërkoni nga një qytetar i rëndomtë tua përmend një emër të një klubi gjerman, përgjigja gjithmonë do të jetë Bayern Munich e jo Borussia Dortmund”, shtoi kreu i gjigantit nga Allianz Arena.
Hoeness është optimist se Bayerni sërish do të dominojë në futbollin gjerman. “Dortmundi kurrë nuk do të jetë në gjendje të na zë as në aspektin e suksesit që kemi arritur në 30 vitet e kaluara dhe tradita që vjen me gjithë këtë. Nëse Dortmundi dëshiron të bëhet më i famshëm se Bayerni në mbarë botën, duhet të fitojë së paku 10 tituj të njëpasnjëshëm në Bundesligë”, përfundoi ai.