E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi, pastaj Falcao

Trajneri i mirënjohur italian Fabio Capello ka treguar se i vetmi futbollist – pas Lionel Messit – që e ka impresionuar qysh nga hera e parë kur e shikoi duke luajtur është sulmuesi Radamel Falcao. Ai beson se ylli i Atletico Madridit është pa dyshim një prej më të mirëve në botë në rolin e tij.

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo tashmë vite me radhë janë pjesë e debatit rreth futbollistit më të mirë në botë. Argjentinasi është fitues i trefishtë i njëpasnjëshëm i Topit të Artë, periudhë gjatë së cilës gjithnjë është rivalizuar nga portugezi.

Por, trajneri i mirënjohur italian Fabio Capello është impresionuar nga dikush tjetër, sulmuesi i Atletico Madridit, Radamel Falcao. 66 vjeçari, selektor i Rusisë, ka lavdëruar yllin e Kolumbisë gjatë një interviste me të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport.

“Gjatë gjithë karrierës time ka dalë vetëm një futbollist i cili më ka impresionuar shumë, sikurse Messi, në herën e parë që e kam shikuar. Ai është Falcao”, tha dy herë trajneri i Real Madridit. “Ai është sulmues i shkëlqyeshëm, pa dyshim tani numër një”, shtoi ai. Capello po ashtu komentoi edhe rivalitetin mes Los Blancos dhe Barcelonës dhe dha parashikimin e tij se kush mund të triumfojë në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve.

“Formacionet e para të skuadrave janë pak a shumë të barabarta. Por, nëse shikoni bankinat, fiton Reali”, u shpreh ish selektori i Anglisë. “Kurse mendoj se edhe Manchester City ka skuadër të mirë si Reali. Më duket ironike që Real-City do të jetë ndeshja e parë e tyre në Ligën e Kampionëve, e më pas besoj se do të takohen edhe në finale””, theksoi ai.

Capello po ashtu diskutoi edhe suksesin e Jose Mourinhos dhe trashëgiminë e ish trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola. “Më pëlqen Mourinho, ai është solid, pragmatik dhe di t’i adaptojë futbollistët në sistemin e tij. Ai është po ashtu menaxher shumë i mirë në raportet me futbollistët.

Kurse, Guardiola, edhe pse filloi i ri, bëri dika edhe më tepër. Ai zbuloi një filozofi dhe në futboll kjo është e vështirë. Aftësia për të rikuperuar topin aq thellë në fushë, nën presion, me futbollistë sulmues që nuk ekzistonin më parë. Së paku jo në mënyrën siç e bëri ai”, përfundoi Capello.

Saviola: Faleminderit Messi!

Sulmuesi i ri i Malagës, Javier Saviola është deklaruar u lumtur që lindi në të njëjtën periudhë si Lionel Messi dhe që e sheh atë duke luajtur. Saviola, i rikthyer në Spanjë pas largimit nga Benfica gjatë afatit kalimtar të verës, është në skuadrën e tij të katërt në La Liga pas Barcelonës, Sevillas dhe Real Madridit.

I pyetur se kush mendon se duhet të fitojë Topin e Artë, Lionel Messi ose Cristiano Ronaldo, ai shprehu përkrahjen për bashkëkombësin e tij. “Për mua duhet të jetë Messi. Ai i tejkalon të gjithë. Jam adhurues i asaj që bën ai, mënyrës si luan dhe gjithçka që tregon në fushën e lojës. Po ashtu jam i lumtur që kam lindur në këtë kohë e që jam në gjendje ta shoh atë duke luajtur”, deklaroi Saviola gjatë një interviste me të përditshmen sportive spanjolle AS.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›