E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosier nga Rai Due. “Shqipëria, plazhi përballë”

ROME- Shqipëria, - plazhi përballë - sic na quajnë italianët, është përfshirë nga një dinamikë zhvillimi. Shqiptarët që dikur e shihnin Italinë si toka e ëndrrave, sot e shohin si një aleat, si një vend konkurent në rrugën e modernizmit. Ky është thelbi i një dokumentari televiziv të transmetuar mbrëmjen e djeshme në televizionin italian “Rai Due”, i realizuar nga Marcelo Masi. Një paralelizëm mes asaj që Shqipëria është në të vërtetë, asaj që dëshiron, dhe asaj ku syunon të mbërrijë. Një zhvillim kaotik, një jetë paradoksale, por një vullnet për të kapur më të mirën. Dokumentari nis me disa fëmijë që mësojnë italisht në një qendër të ngritur nga një organizatë italiane në zonën e Kombinatit në Tiranë. Këta fëmijë duken të lumtur në pamje, por mjediset ku ata jetojnë janë jashtë normales. Shqipëria mbetet një ndër vendet më të varfra të Europës, papunësia është e lartë, rrugët janë ende të papërfunduara, turizmi është i kërcënuar nga ndërtimet abuzive por përsëri Shqipëria është një vend që vazhdon të ndërtohet, një vend ku makinat luksoze kryesisht mercedez mund ti gjesh më të shumta në numër se në Frankfurt, një vend ku jeta e natës është aq e gjallë sa në Itali, një vend që u pranua në NATO, është afër kandidatit për në BE, që ka trupat e veta në Afganistan bashkë me trupat italiane, që në televizion konkuron denjësisht me spektaklet italiane.
20 vite më parë, mijëra shqiptarë u dyndën në anije për një jetë më të mirë.
Taulanti ishte një prej tyre, sot është kamarier dhe i integruar në jetën italiane:
“Pas katër orësh udhëtim mendoja se do vdisja. Ishim 56 vetë në gomone, dallgët e mëdha, ishtë një skenë tërësisht e errët”, tregon Taulanti.

Ky djalë sot nuk ka zor të komunikojë dhe të ftojë për kafe vajzat italiane, pavarësisht si erdhi në Itali.

Një prej atyre emigrantëve është dhe futbollisti Igli Tare, i cili thotë se italianet dikur ishin pikë referimi për shqiptarët, të cilët përpiqeshin të thithnin sadopak jetë italiane në kohën e monizmit nëpërmjet stacioneve që kapeshin fshehtas. Por sot sipas tij ky qëndrim ka ndryshuar, edhe pse këtë jo të gjithë të huajt e pranojnë.
Karlo Bolino drejtor i “La gazeta del mezoxhorno” thotë:
“Ata na shohin ende dhe na imagjinojnë sic thuhej në televizione disa vite më parë një popull i pasur, i lumtur, nuk e imagjinojnë dot se cfarë krize përjetojmë dhe në Itali, ndërsa e italianët i konsinderojmë ende shqiptarët sic janë prezantuar në televizione apo gazeta prej shumë vitesh, si nje popull emigrantesh, klandestinësh dhe prostitutash, krimnelësh dhe jo të dhënë shumë pas punës. Por është mungesa e njohjes ajo që sjell këto qëndrime të kundërta. Shqiptarët i mbivlersojnë italianët, ne italianët i nënvlersojmë shqiptarët”.

Megjithatë edhe zëri mediatik tashmë i ka zbehur këto diferenca. Dikur kishte vetëm një media “Zëri i popullit” dhe televizioni shqiptar, sot ka një mori gazetash dhe televizionesh, ndër të cilat përmenden: News 24, Top Chanel dhe Klan tv. Një nga protagonistët e mediave shqiptare, Ardit Gjebrea shprehet:

“Sot televizionet shqiptare bëjnë konkurencë për audiencë me televizionet italiane dhe të tjerët. Dikur ishte vetëm tv shteteror, sot kanë bërë një bum, ndërsa tv shtetëror ka bërë hapa prapa. Nëse dikur ju shihnim nga poshtë, sot jemi rritur, edhe më shumë se ju dhe arrijmë tju shohim në sy.”

Në fakt turizmi është ajo fushë ku duhet investuar për të ndryshuar këtë mentalitet. Shqipëria ka një peisazh të mrekullushëm por që po dëmtohet nga dora e njeriut. Mentaliteti për shqiptarët po ndryshon, ata nuk janë më në krye të listave te kriminelëve. Ata po integrohen njësoj si europianët e tjerë. Me këtë dosier italianët na konsiderojnë mjaft të afërt, madje edhe ata vetë ndihen pak shqiptarë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›