E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e vendorëve, Meta: Sjellje europiane jo thasë me plehra

TIRANË- Ministri i Jashtëm, njëherësh zv/kryeministri Ilir Meta, ka sulmuar simbolikën e zgjedhur nga opozita për protestën e ditës së shtunë, që ishin thasët me plehra. Meta ka bërë apel për një sjellje europiane, e cila sipas tij duhet të jetë në përputhje me proceset integruese të Shqipërisë.

“Nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjellta dhe as për thasë me plehra, në një ambient, për fat të keq, jo shumë ekologjik të politikës shqiptare. Kemi nevojë që të gjithë të zhvillojnë përgjegjësitë që kemi marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit, nga qytetarët shqiptarë dhe natyrisht integrimin e europian, përvec reformave të kërkuara kërkohet edhe një sjellje europiane”, u shpreh Meta.

Apeli i është drejtuar si opozitës ashtu edhe maxhorancës, përplasjet e forta mes të cilave Meta i ka konsideruar si një periudhë të gripit stinor.

“Do doja ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshme si një grip stinor që duhet ta lëmë të gjithë pas, dhe të ecim të gjithë përpara, sepse nuk kemi kohë për të humbur”, theksoi Meta.

Këto deklarata ministri i Jashtëm i bëri përpara nisjes së tij drejt Pragës, ku do të zhvillohet takimi i Partisë Socialiste Europiane, nja aktivitet që kryetari i LSI e ka konsideruar, si një mundësi të mirë për të diskutuar me liderët e të majtës europiane, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit të Shqipërisë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›