Dosja AEY (IV). Në labirintet e milionave
Dosja “AEY” është si një thes mielli, sa herë ta shkundësh, aq herë del pluhur. Të paktën kjo është ideja që të krijohet duke lexuar raportin voluminoz hetimor të Kongresit amerikan mbi veprimtarinë e kësaj kompanie të drejtuar nga Efraim Diveroli. Në tre numra rresht, revista “MAPO” ka botuar të plotë këtë dosje dhe kësaj radhe boton pjesën e katërt të saj. Është sërish e njëjta histori që dëshmon se si Diveroli, tashmë një njeri i famshëm për biznesin e tij në Shqipëri, ka mundur të mashtrojë dhe të përfitojë në mënyrë të gabuar kontratat shumëmilionëshe nga Departamenti i Mbrojtjes në SHBA. Kontrata, të cilat në shumicën e tyre dërmuese kanë qenë problematike dhe që janë ndërprerë apo bllokuar më pas.
Nga dosja hetimore, tashmë është në vijim dhe një proces penal në ngarkim të Diverolit e të tjerëve në Florida, del qartë se janë pyetur me dhjetëra zyrtarë të lartë amerikanë dhe që hetimi është shtrirë në thellësi, pikërisht për të demonstruar gjithë ato detaje dhe hapësira të mundshme të ligjit apo shkelje të tij, që kanë mundësuar këtë histori mashtrimi. Por, natyrisht, kjo është pjesa amerikane ose, në rastin më të mirë, edhe një model për mënyrën e hetimit të segmentit shqiptar të “ngatërresës” së AEY me municionet shqiptare me origjinë kineze.
Ka një moment shumë interesant në këtë pjesë të dosjes që po publikohet: analiza e performancës së AEY në kontrata të hershme përfshinte dhe një pikë që kishte të bënte me “përmbajtjen ndaj rregullave të qeverive të huaja dhe asaj amerikane”. Se çfarë ka ndodhur me rregullat e qeverisë amerikane në lidhje me AEY, kjo është e qartë; në Shqipëri është e rëndësishme të mësohet se sa ka qenë në përputhje me “rregullat e shtetit shqiptar” veprimtaria e kësaj kompanie. Një përgjigje të mundshme për këtë pikë pritet ta japin dhe amerikanët, por kjo përgjigje do të jetë vetëm një ndihmesë që vjen nga larg, përgjigjen e përkthyer në legjislacionin shqiptar duhet ta japë si hap të parë prokuroria shqiptare, e më pas, duhet të vulosë të vërtetën gjykata shqiptare.
Në 2006, AEY ofroi pushkë zëvendësuese jashtë konfirmimit nëpërmjet tri kontratave të ndryshme, por të lidhura me njëra-tjetrën. Zyrtarët kontraktues të Departamentit të Shtetit e paralajmëruan AEY vazhdimisht se “produkti që kërkohej ishte për një qëllim të caktuar dhe se asnjë zëvendësues nuk do të ishte i pranueshëm”. Pasi armatimet e ofruara nga AEY u refuzuan nga ana e Departamentit të Shtetit në tetor 2005, ky i fundit i modifikoi kontratat duke e ulur çmimin dhe duke zgjatur afatin kohor të dorëzimit, vetëm e vetëm që AEY të shpërndante armatime jashtë standardeve.
Në 2006, AEY përsëri ofroi produkte që nuk ishin konform kontratës për sistemet e adaptimit të shinave duke provokuar ankesën e një zyrtari të Departamenti të Shtetit se AEY duhet të furnizonte pjesën specifike të produktit që kishte kërkuar Departamenti i Shtetit dhe jo “atë që kompania shitëse po mundohej të na bindte të përdornim”.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit ndërkohë i shkruan një kolegu: “Kemi patur probleme me AEY në të kaluarën.”
C. Vlerësimi i performancës së kaluar të AEY prej Departamentit të Mbrojtjes
Gjatë procesit të kontratës 300 milionë dollarë të municioneve afgane, “ekipi i përzgjedhjes së burimeve” në Departamentin e Mbrojtjes e kreu vlerësimin e aktivitetit të kaluar të AEY duke u bazuar vetëm mbi tri kontrata të identifikuara prej vetë kompanisë. Një shqyrtim i thjeshtë i bazës së të dhënave në dispozicion të ekipit të përzgjedhjes, do i kishte identifikuar shumë shpejt edhe kontratat e tjera të AEY me Departamentet e Mbrojtjes dhe të Shtetit. Me sa kuptojmë tani, performanca e AEY brenda këtyre kontratave të tjera, nuk u mor nën konsideratë.
Ekipi i përzgjedhjes së burimeve e konsideroi performancën e kaluar të AEY duke u bazuar mbi tri kritere: (1) afatet kohore të shpërndarjes, (2) cilësinë, (3) shpërndarjen ndërkombëtare të municioneve, si dhe (4) sukses si “integrues sistemi”, që përfshinte “eksperiencë në identifikimin e municioneve të duhura për përdorim në sisteme të huaja armatimi”, “aftësinë për të ngritur plane për kontrollin e cilësisë, sigurinë dhe transportin”, dhe “përmbajtja ndaj rregullave të qeverive të huaja dhe asaj amerikane”. Ekipi i dha një vlerësim të përzier kompanisë AEY.
Ekipi i përzgjedhjes së burimeve e vlerësoi si “të shkëlqyeshme” performancën e kaluar të AEY për sa i përket cilësisë dhe dorëzimit të produkteve në kohë. Zyrtari kontraktues, i cili e rishikoi vlerësimin e ekipit të përzgjedhjes, konkludoi:
Nuk asnjë dyshim se AEY do të performojë në përputhje me afatet kohore të dorëzimit të armatimeve dhe se kompania nuk ka asnjë të kaluar negative për sa i përket cilësisë së produkteve. Duke u bazuar këtu, vlerësimi fillestar për kompaninë AEY ka qenë “i shkëlqyeshëm”
Për sa i përket të kaluarës së kompanisë AEY në “shpërndarje ndërkombëtare” dhe eksperiencës së saj si “integrues sistemesh”, ekipi përzgjedhës konkludoi se performanca e kaluar e AEY ishte “e pakënaqshme”. Ekipi zbuloi që kontratat e ofruara prej AEY për konsiderim nuk demonstronin “eksperiencë të kaluar me kontrata me një numër të madh mallrash të ndryshme dhe aftësinë për të identifikuar armatimet e duhura për sistemet e huaja të armëve në fjalë.” Ekipi konkludoi: “Duke qenë se kompania nuk ka eksperiencë të mjaftueshme, ekzistojnë dyshime mbi aftësinë e AEY për të performuar në përputhje me kërkesat e kontratës.”
Pasi u njoftua mbi vlerësimin e pakënaqshëm, AEY ofroi informacion të mëtejshëm rreth një kontrate. Ky informacion nuk e ndryshoi mendimin e ekipit përzgjedhës, i cili vazhdoi ta vlerësonte eksperiencën e kompanisë si “të pakënaqshme”.
Më 22 janar 2007, zyrtarja kontraktuese, e cila në fund ia akordoi kontratën AEY, e përmbysi gjykimin e ekipit përzgjedhës dhe e ngriti vlerësimin nga “Të Pakënaqshëm” në “Mirë”. Gjatë intervistës me anëtarët e Komisionit, ajo pohoi se nuk kishte rënë dakord me konkluzionin e ekipit përzgjedhës, se kontrata e vlerësuar nuk përbënte provë të mjaftueshme për eksperiencën e kaluar të kompanisë në këto kategori. Ajo pranoi se ndryshimi i vlerësimit që ajo bëri pati efekt në vendimin përfundimtar të përzgjedhjes dhe se AEY nuk do e kishte fituar dot kontratën pa këtë ndryshim teknik të vlerësimit. Sidoqoftë, ky ndryshim u bë, pasi ajo kishte siguruar informacion të mëtejshëm në lidhje me kontratat, informacion që nuk i ishte ofruar ekipit përzgjedhës së burimeve.
Megjithëse zyrtarët kontraktues marrin nën konsideratë një numër të kufizuar kontratash, është e vështirë të kuptohet se përse AEY u vlerësua “Shkëlqyeshëm” për cilësi dhe dorëzim të mallit brenda afatit kohor dhe “Mirë” për eksperiencën e saj në shpërndarje ndërkombëtare dhe integrim sistemesh. Një nga tri kontratat që u shqyrtuan ishte kontrata e AEY për të furnizuar Forcat e Sigurisë irakiane me municione, përfshirë këtu edhe 10,000 pistoleta “Beretta”. Siç u diskutua më sipër, dorëzimi i pistoletave u anulua për shkelje të kontratës. Zyrtari kontraktues, i cili e mbylli këtë kontratë, e vlerësoi performancën e AEY si “Tepër të Varfër” dhe se AEY ishte kontraktori më i dobët që ai kishte hasur në Irak.
Kur Komisioni e pyeti zyrtaren kontraktuese se përse ajo kishte konkluduar se AEY nuk kishte “në të kaluarën probleme mbi cilësinë”, ajo u përgjigj se informacioni i saj kishte ardhur prej një tjetër zyrtari, i cili nuk ishte informuar siç duhet mbi performancën e varfër të AEY. Ajo pohoi se: “Nëse do të kisha qenë e informuar për këtë detaj, kjo do të influenconte vendimin tim përfundimtar.”
D. Fshehja e mundshme e kontratave të anuluara nga AEY
Në mënyrë që AEY të konkurronte për një kontratë të Departamentit të Mbrojtjes, kompanisë iu desh të mbushte dhe dorëzonte një formular federal të quajtur Formulari i Certifikimeve dhe Përfaqësimeve Online (ORCA), i cili përmban pyetje mbi kompaninë, aktivitetet e saj dhe historinë e mëparshme kontraktuese. AEY e dorëzoi këtë formular në 2005, 2006 dhe 2007. Në secilin formular (ORCA), AEY vërtetoi se “brenda tri viteve të kaluara para kësaj kontrate kompania nuk kishte asnjë kontratë të anuluar për shkelje të parashikuara në kontratë prej një Agjencie Federale.”
Dokumentet e dorëzuara para Komisionit identifikojnë të paktën 11 kontrata dhe porosi dorëzimi që ishin anuluar për shkak të shkeljeve të parashikuara në kontratë nga ana e AEY, përfshirë këtu edhe të paktën tri kontrata që u anuluan për mungesë performance. Këto përfshijnë dy kontrata që Departamenti i Mbrojtjes anuloi në 2006 dhe një tjetër të anuluar nga Departamenti i Shtetit në 2007.
Sipas zyrtarit kontraktues të ushtrisë amerikane, i cili akordoi kontratën e armatimeve për Afganistanin, nëse formulari ORCA i AEY do të kishte listuar këto tri kontrata të anuluara, “mund të kishte” influencuar vendimin përfundimtar.
Dështimi i AEY për të raportuar anulimet e mëparshme kontraktuale mund të jetë edhe deklaratë false kriminale. Formulari ORCA udhëzon shumë qartë se “një vërtetim fals, i pavërtetë ose mashtrues mund ta bëjë zbatuesin e kontratës subjekt të procedimit penal.”