E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush duhet të japë llogari për tre gjermanët?

Nga Ibrahim Kelmendi

Tre gjermanët, pjesëtarë të Shërbimit informativ gjerman BND (Shërbimi Federativ i Informimit), të cilët u akuzuan për sulme ndaj përfaqësisë ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë, u liruan nga paraburgimi dhe u kthyen në shtetin e tyre. Mbrapa ngelen paqartësitë dhe përgjegjësitë.

Lirimi i tyre ndodhi, ngaqë drejtësia fitoi, veç jo drejtësia e Republikës së Kosovës, por drejtësia e gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Gabimin e parë e bëri policia e Republikës së Kosovës. Dhe gabimi nuk ndodhi, pse ajo arrestoi tre gjermanët, por pse e reklamoi me pompozitet “suksesin” e saj, kapjen e “fajtorëve” të vërtetë. Policia e Shtetit të Kosovës me atë rast nuk tregoi asnjë profesionalizëm. Menjëherë video-incizimet spektakolare ua ofroi televizioneve për të transmetuar aksionin e arrestimit, duke shpjeguar se kishin kapur “kriminelët” që kishin hedhur eksploziv para Zyrës Evropiane. Pas tyre gabimin tjetër të radhës e bëri prokuroria, e cila prononcimet diletante të policisë i gëlltiti si të vërteta. Dhe gabimi i tretë ndodhi nga gjyqtari hetues, i cili menjëherë iu përgjigj fajësimit dhe kërkesës se prokurorisë. Dhe të gjitha këto struktura nxituan së klasifikuari veprën e këtyre tre gjermanëve fatkëqij si vepër terroriste.

Pa u zgjatur në komentimin e detajuar të diletantizmit skandaloz të strukturave të Kosovës, një polici dhe një shtet funksional, sapo kanë identifikuar se njëri nga gjermanët posedon pasaportën diplomatike gjermane, siç u tha, atëherë do të duhej ta mbanin aksionin sekret, derisa të sqaroheshin me ambasadën gjermane në Prishtinë. Kështu do të evitohej gjithë zhurma që ndodhi në mediat tona dhe në mediat gjermane. Kështu do të evitohej provokimi dhe hidhërimi i opinionit dhe i shtetit gjerman, i cili, arsyeshëm, është revoltuar nga kjo sjellje e keqe skandaloze e institucioneve përkatëse të Republikës se Kosovës.

Shtrohet pyetja: Si nuk iu ka shkuar ndërmend kompetentëve kosovarë, se një gjerman, që posedonte pasaportë diplomatike, nuk mund të bënte një akt aq kriminal kundër institucionit të tij (Zyrës Ndërkombëtare). Përkundrazi, policia jonë ende joprofesionale menjëherë, me pompozitet, ka shfaqur konstatime bindëse, se pikërisht ai dhe dy bashkëpunëtorët e tij e kanë bërë veprën terroriste dhe prandaj menjëherë ka pasuar masa e arrestit prej 30 ditësh, e kërkuar gjithashtu nga prokurori diletant dhe e miratuar nga gjyqtari, gjithashtu diletant.

Tre kuadrot gjermanë të Shërbimit inteligjent të Gjermanisë nuk ishin ilegalisht në Republikën e Kosovës, siç bëheshin shpjegime të mëpastajme, siç nuk janë ilegalisht as dhjetëra policë të uniformuar dhe 3 mijë ushtarë gjermanë, siç nuk janë qindra kuadro të kësaj fushe veprimi dhe siç nuk janë dhjetëra-mijëra ushtarë të shumë shteteve të botës (nën komandën e NATO-s), dhe qindra policë ndërkombëtarë në kuadër të UNMIK. Ne nuk kemi pse shtiremi sikur Republikën e Kosovës e kemi shtet sovran, ku nuk do të guxonin të angazhoheshin kuadro të tillë. Ne vetëm e kemi shpallur, por akoma nuk e kemi realizuar dhe prandaj strukturat tona shtetërore duhet të angazhohen në këtë drejtim, të merren vesh me strukturat ndërkombëtare dhe të shteteve përkatëse, se kush do të tolerohet dhe kush jo në shtetin e Kosovës në këtë fushëveprimi.

Po në Gjermani, çfarë roli ka luajtur trupi ynë diplomatik gjatë gjithë kësaj ngjarjeje? Trupi ynë diplomatik në Berlin nuk ka organizuar të paktën një konferencë shtypi për të informuar gazetarët gjermanë lidhur me këtë ngjarje, edhe pse ata janë ballafaquar me gjithë ato shkrime, lajme e komente aq të revoltuara dhe hidhëruese në mediat gjermane.

Për të riparuar këtë provokim e hidhërim të rëndë që i kemi bërë Gjermanisë, dikush duhet të ndëshkohet për keq-sjellje të policisë, policisë e gjykatës. Parlamenti gjerman (Bundestag) ka formuar komision hetimor enkas për këtë rast, kurse Kuvendi i Kosovës në mënyrë të pakuptimtë po hesht. Po hesht, edhe pse në mediat gjermane rasti po vlerësohet si hakmarrje e qeverisë së Republikës se Kosovës ndaj Shërbimit inteligjent gjerman BND, i cili, sipas mediave gjermane, ka fajësuar kryeministrin e Kosovës dhe të tjerë për krime të rënda. Prandaj, Kuvendi i Kosovës duhet të krijonte komision hetimor për akuzat kaq të rënda që duhet t’i ketë bërë BND, duke marrë qëndrim përkatës në bazë të rezultatit të hetimit. Pos kësaj, qeveria e Kosovës, në mos vetë presidenti, si institucion më i lartë, duhet t’i kërkojë falje Gjermanisë për këtë faj e hidhërim që i ka bërë shteti i Kosovës. Dhe kjo duhet (ende ka kohë) të ndodhë për shumë arsye, të cilat nuk e ndiej të nevojshme t’i paraqes me këtë rast. E nuk janë në pyetje vetëm ndihmat financiare që Kosovës i janë premtuar nga Gjermania, por në pyetje është ndikimi i madh i shtetit gjerman në Bashkësinë Evropiane dhe Ndërkombëtare. Neglizhimi i këtij skandali nga ana e pushtetarëve të Kosovës, sidomos kryeneçësia për të mos i kërkuar falje shtetit gjerman, do ta dëmtojë rëndë Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›