E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja ARMO, një nga pasuritë më të mëdha i shkon atij që Berisha e kishte quajtur kontrabandist

Nga Tema

Viti 2008 shënoi një rast flagrant privatizimi në bazë të interesave familjare të kryeministrit. Njeriu që pak ditë përpara zgjedhjeve u etiketua nga kryeministri si trafikant, mori një nga kompanitë më të rëndësishme në vend. Bëhet fjalë për kompaninë ARMO, e cila u privatizua nga Rezart Taçi, i shpallur si kontrabandist nafte nga vetë Berisha.

Por, ajo çka e bën më të rëndë këtë fakt, është se Taçi nuk ka paguar asnjë lek në arkën e shtetit nga kjo blerje.

Gazeta “TemA” ka dokumentuar të gjithë rrugën e shkeljeve, duke nisur që nga përgatitja e Taçit për t’u bërë fitues, e deri te përpjekja e qeverisë për të mbajtur të fshehtë pamundësinë e pagesës për blerjen e ARMO-s.

***

Konsorciumi favorit i qeverisë dhe personalisht i familjes kryeministrore, që u shpall fitues, duhet të ishte përjashtuar nga tenderi që në fazën e parë të verifikimit të kritereve tekniko-profesionale (në fazën e parakualifikimit), për vetë faktin se konsorciumi qe një sajesë e dyshimtë dhe fantazmë, së cilës i mungonte investitori strategjik, eksperienca profesionale dhe aftësia financiare për të blerë kompaninë ARMO, ndërsa për kapacitetin investues për modernizimin e dy rafinerive në Fier e Ballsh nga ana a blerësit fantazmë as që bëhej fjalë.

***

Pikërisht për të shmangur procesin e diagnostikimit tekniko-profesional, i cili do ta përjashtonte konsorciumin fantazmë nga gara, “zyra juridike” kryeministrore hartoi Vendimin Nr. 82, datë 3.2.2008, sipas të cilit tenderi do të zhvillohej vetëm në një fazë, ku rëndësi do t’i jepej lojës së mashtrimit të publikut me ofertën e “lartë” financiare. Publiku e mban mend mirë se tjetër praktikë u ndoq për privatizimin e OSSH, ku fillimisht u hapën ofertat teknike, dhe vetëm pas disa ditësh u çelën zarfet me ofertat financiare, vetëm të atyre kompanive që kishin mundur të kalonin testin e fazës së parë (parakualifikimin).

***

Mashtrimi i parë i bërë nga qeveria është reklama në publik për blerësin fantazmë duke e paraqitur si një “konsorcium i fuqishëm amerikano-zviceran” i udhëhequr nga “investitori strategjik amerikan”, kompania “Refinery Associates of Texas”, ndërkohë që kjo kompani amerikane qe thjesht një fantazmë, një ndërmjetës nafte që abuzonte me paratë e taksapaguesve amerikanë, një firmë me 5 punonjës, të gjithë pjesëtarë të një familjeje, që do të vinte në Shqipëri jo për të investuar, por thjesht për t’u përdorur si “pasaportë amerikane” për konsorciumin fantazmë. Në të njëjtën mënyrë, kjo firmë amerikane kishte abuzuar më parë në Irak, ku është përdorur si “mbulesë amerikane” për kompanitë ruse “Lukoil” dhe “Litasko” për të dërguar dhjetëra mijëra tonë naftë në një rajon, ku rusët e kishin të ndaluar.

***

Përveçse ky konsorcium fantazmë u pranua në tender jashtë kritereve ligjore, skandali i radhës, pra dhe mashtrimi i radhës ka të bëjë me ofertën financiare të paligjshme, të kushtëzuar me 15 kushte, me pagesë me këste për 5 vjet, dhe me një sërë kërkesash të paligjshme, të cilat e bënin ofertën e tyre ligjërisht të papërputhur, pra të papranueshme e si rrjedhojë konsorciumi fantazmë duhet të ishte skualifikuar.

***

Zv/ministri Alibali i dërgon instruksione zyrtare konsorciumit favorit të familjes Berisha që “të heqë dorë nga kushtet”, pra të paraqesë ofertë të re, pasi oferta origjinale ishte e paligjshme. Zoti Alibali nuk mendonte se shkresa e tij skandaloze, që e ngarkon atë me përgjegjësi penale, do të binte në duar të shtypit apo të prokurorisë shqiptare e për me keq për Alibalin, dhe të sistemit të drejtësisë amerikane dhe evropiane.

***

Pa pyetur fare për ligjet dhe drejtësinë u shpall fitues konsorciumin fantazmë, favorit i familjes kryeministrore dhe klient i studios ligjore të kësaj familjeje. Në të gjithë mediet e shkruara dhe ato vizive u shkrua se “tenderi u fitua nga konsorciumi amerikano-zviceran, i “Refinery Associates of Texas-Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”. Ishte e qartë se “Taçi-Oil” nuk i kishte paguar mediet për reklamën e naftës që shiste në pikat e tij të karburantit të marra me qira, por pikërisht për t’i pasur mediet në shërbim të procesit korruptiv të privatizimit të ARMO-s. Kontrata u lidh nga “Taçi-Oil” që me mburrje deklaroi në emisionin “Opinion” në TV “Klan” se “zotëronte 70% të aksioneve të konsorciumit fitues”, në një kohë që zyrtarisht, Taçi-Oil nuk ekzistonte fare në përbërjen e atij konsorciumi.

***

Rezart Taçi tani bashkëpunon ngushtë me gruan dhe vajzën e kryeministrit. Të parës i paguan shpenzimet e fondacionit, kurse e dyta i bën asistencën ligjore. Por, në fakt, që para 3 vjetësh ai ishte konsideruar nga Berisha si kontrabandisti me i madh i naftës. Kjo e vinte në pozitë të vështirë kryeministrin, prandaj Taçi u udhëzua nga studio ligjore kryeministrore që të ndërtonte një konsorcium gjoja “amerikano-qipriot-zviceran” si mbulesë dhe pasaportë për “Taçi-Oil”, kompani e cila do të dilte në skenë vetëm pas shpalljes fitues të konsorciumit “amerikan” të Taçit.

***

Taçi deklaroi se do të paguante paratë në buxhet menjëherë pas ratifikimit të kontratës në parlament, do të kthente në punë të gjithë të larguarit nga ARMO dhe se do të rriste menjëherë në masën 30% rrogat mujore të punonjësve, një gënjeshtër, të cilën u detyrua ta “qortonte” vetë ministri Ruli në një dalje televizive.

***

Ndërkohë që konsorciumi fantazmë i “Taçi-Oil” dështoi në firmosjen e kontratës brenda afateve ligjore, ministria duhet të thërriste për bisedime për firmosjen e kontratës kandidatin e dytë në radhë, por përsëri ministri Ruli e firmos kontratën 5 ditë tej afateve ligjore, dhe në mungesë të plotë të transparencës, pa i treguar publikut se ku, kur dhe nga kush u firmos kontrata e privatizimit të një prej pasurive publike më strategjike të popullit dhe shtetit shqiptar, por thjesht duke lëshuar një komunikatë të dyshimtë se “u firmos kontrata për shitjen e 85% të aksioneve të ARMO-s”, kontratë e cila legalizohet te Julian Zhelegu, noteri i kompanisë konsulente kryeministrore dhe të trafikantit Damir Fazlliç.

***

Meqenëse kusht paraprak për firmosjen e kontratës ishte bllokimi në bankë për llogari të buxhetit i 20% të çmimit të blerjes ose 25 milionë euro, dhe meqenëse konsorciumi fantazmë ishte me xhepa bosh, përsëri gjendet Neritan Alibali, që mashtroi opinionin publik me lajmin e rremë se “konsorciumi amerikan”, d.m.th., “Taçi-Oil” ka derdhur pranë buxhetit 30 milionë euro”. Siç u vërtetua më vonë, as firma fantazmë amerikane dhe as “Taçi-Oil” nuk kishin paguar asnjë cent, por ajo që kishin bërë ishte pikërisht prokurimi i një garancie false nga Raiffeisen Bank në shumën prej 25 milionë eurosh.

Garancia false u denoncua në shtyp dhe në prokurori nga ana e konsorciumit të “Vitolit”. Ratifikimi antiligjor i kontratës nga parlamenti mbi bazën e garancisë false, në fakt i vuri kapak gjithë procesit fals, korruptiv, dhe skandaloz të privatizimit të kompanisë ARMO.

***

Vështirësitë për blerjen e ARMO-s shtoheshin, ndërsa kontrata lejonte blerësin fantazmë që t’i vërë aksionet e ARMO-s në një bankë, para se ta blejë ARMO-n, d.m.th., blerësi ka mundësi të marrë kredi duke përdorur si kolateral pasurinë shtetërore!! Afati i pagesës së çmimit të ARMO-s u shty deri më 31 dhjetor me mundësi negocimi për shtyrje të mëtejshme. Deri në momentin e mrekullisë, kur blerësi fantazmë të mund të bënte paratë, ARMO vihej në administrim të dyfishtë, të administratës shtetërore dhe të “vëzhguesve” të Taçit, në mënyrë që ky blerës “strategjik” të vidhte mbi 10 milionë euro nga ARMO përmes kontratave të paligjshme me “parapagim”. Në mënyrë që aksionet e ARMO-s t’i kalohen përfundimisht Taçit, duheshin sajuar pagesat fiktive apo transferta të dyshimta nga banka të ndryshme, por pa depozituar gjë në buxhetin e shtetit.

***

Nisi implementimi i planit të “bashkë-administrimit” të ARMO-s me Taçin, për t’i dhënë mundësinë atij që të grabiste pa pagesë rreth 10 mijë tonë naftë virgjine, 1500 tonë bitum dhe 3500 tonë D2, por peticioni që administrata dhe sindikata e Kombinatit të Ballshit i dërguan kryeministrit kundër vjedhjeve skandaloze prej miliona eurosh të kryera nga “konsorciumi amerikan” i Taçit, e detyruan ministrin t’i ndërpriste - mbase përkohësisht - kontratat me parapagim me firmat e Taçit, çka mbylli rubinetet për vjedhje të mëtejshme, kurse nga ana tjetër kriza financiare botërore i veniti shpresat e konsorciumit fantazmë se mund të mashtronin ndonjë bankë apo grup investimi për të marrë pará borxh, ndërkohë që 31 dhjetori nuk ishte larg.

***

Mediet botuan lajmin “bombë” se Taçi i derdhi buxhetit të shtetit 128 milionë euro!! Nuk thuhet se në cilën ditë u paguan, nga cila bankë u paguan, cili është burimi financiar i sigurimit të parave, madje për këtë nuk u prononcuan as ministri i Ekonomisë, as ai i Financave, as Drejtoria e Buxhetit, ndërkohë që kryeministri një ditë përpara botimit të super-mashtrimit, i tha gazetarit Blendi Fevziu se “paratë e privatizimit të ARMO-s nuk janë përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm, për shkak se nuk kemi siguri të plotë për arkëtimin e tyre”.

Përfundimisht, për fatin e keq të punëtorëve të rafinerisë së naftës dhe në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar, ARMO i është dorëzuar kompanisë së Taçit, për të cilin qeveria thotë se i ka paguar shtetit 128 milionë euro, por nuk thotë se ku janë këto pará, për llogari të kujt janë depozituar, cili është burimi i këtyre parave dhe përse këto pará nuk u derdhën në buxhet, por në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin mbi buxhetin ky fond lihet në administrim ekstra-buxhetor!!

***

Në një konferencë shtypi Rezart Taçi dhe Neritan Alibali deklarojnë për opinionin publik se gjoja konsorciumi i Taçit, “AMRA Oil” i kishte paguar shtetit shqiptar 128 milionë euro, gjë e cila - sipas Taçit - “shprehte potencialitetin financiar të konsorciumit të tij”. E njëjta gjë u përsërit nga Alibali edhe në një intervistë për emisionin e “hapur” të gazetarit I. Yzeiri, transmetuar në TV “Ora News”, më datë 21 dhjetor 2008. Është skandaloz fakti se, ndërsa qeveria i deklaron popullit të vet se paratë e privatizimit të ARMO-s u arkëtuan nga shteti, në buxhetin e shtetit nuk është derdhur asnjë cent, jo më 128 milionë euro!

Sipas procedurave ligjore dhe bankare, paratë e privatizimeve që depozitohen në valutë të huaj në Bankën e Shqipërisë, në mënyrë të menjëhershme, sipas kursit ditor konvertohen në lekë shqiptare për t’u reflektuar si të hyra në buxhet në Thesarin e Shtetit që administrohet nga Ministria e Financave në kuadrin e programit të buxhetit të miratuar nga parlamenti...

Sipas konfirmimit të Ministrisë së Ekonomisë, “Taçi-Oil” e ka “paguar” tërë shumën e privatizimit të ARMO-s përmes bankave, gjë që jo vetëm e bën të dyshimtë konfirmimin e pagesës, por mbi të gjitha krijojnë përshtypjen e transaksioneve të pista nga burime të dyshimta financiare.

***

Ndërkohë që Taçi-Alibali kanë konfirmuar kryerjen e pagesave të mësipërme para datës 27 nëntor 2008, në fakt asnjë euro nuk ka kaluar për 11-mujorin në buxhetin e shtetit, gjë e cila konfirmohet edhe nga dokumentet zyrtare të shpërndara nga Ministria e Financave. Kjo tregon se qeveria ka mashtruar me arkëtimin e parave. Sipas legjislacionit shqiptar, për rastin konkret, pagesa quhet e kryer, vetëm kur kalojnë paratë në buxhetin e shtetit.

***

Edhe po ta supozojmë se paratë janë paguar vërtet, rezulton se qeveria u ka hapur rrugën skandaleve akoma më të rënda se shitja e ARMO-s me pagesa fiktive. Rezulton se 36 milionë euro janë paguar nga Raiffeisen Bank, kurse një bankë fare e vogël, si Credins Bank, kapitali i së cilës nuk i kalon 10 milionë eurot, ka bërë transferta të tilla marramendëse prej 86 milionë eurosh. Banka e Shqipërisë, por në radhë të parë organet e specializuara të parandalimit të pastrimit të parave duhet të kishin dhënë alarmin për këto pagesa dhe të nisnin investigimin se cila ishte natyra e këtyre transfertave të dyshimta, cili është burimi i këtyre fondeve, dhe të sqaronin faktin nëse këto transferta janë pará të justifikuara nga llogaritë dhe bilancet e kompanisë fituese apo janë riciklim i parave të pista përmes bankave të dyshimta, apo pagesa fiktive në letra apo garanci false, siç ishte garancia bankare false prej 25 milionë eurosh e lëshuar nga Raiffeisen Bank.

***

Akti normativ që qeveria kaloi në parlament nuk përfshinte paratë e përfituara nga shitja e ARMO-s duke vulosur përfundimisht mospërfshirjen e tyre në buxhetin e këtij viti, ndërkohë që qeveria nuk i ka përfshirë as në buxhetin e vitit të ardhshëm, por ka gjetur një zgjidhje antikushtetuese, gjoja duke i mbajtur paratë e privatizimit të ARMO-s si të ardhura ekstra-buxhetore si “rezervë në ndihmë të bankave për përballimin e krizës”, gjë e cila tregon më së miri se paratë nuk janë paguar, dhe se akti normativ i propozuar nga qeveria, i cili nuk i përfshin këto pará në buxhet, është një manovër mafioze e paramenduar e qeverisë për t’i shërbyer në mënyrë kriminale “Taçi Oil” që paratë t’i paguajë kur të dojë dhe si të dojë, ndërsa parlamenti dhe opinioni publik të mos mund të marrë vesh kurrë, nëse u paguan apo jo në buxhet paratë e privatizimit të ARMO-s.

Veprimi i përfshirjes së parave të privatizimit është në kundërshtim me ligjin e buxhetit dhe Kushtetutën e Shqipërisë, d.m.th., është një vepër e rëndë penale që po kryhet direkt nga ministri Bode dhe kryeministri Berisha, të cilët për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale po përpiqen të inkriminojnë edhe parlamentin.

***

Historia e turpshme e deritanishme në privatizimin e ARMO-s tregon se mafia ka kapur familjen kryeministrore, kryeministrin dhe qeverinë e tij, ndërsa me kalimin e këtij akti normativ, i cili lë jashtë buxhetit paratë e privatizimit të ARMO-s, “Taçi Oil” me ndihmën e Berishës po synon të kapë edhe parlamentin, ashtu siç arriti me sukses të aprovojë në parlament kontratën e paligjshme të bazuar mbi një garanci bankare false prej 25 milionë eurosh të lëshuar nga Raiffeisen Bank, gjë për të cilën u pushuan nga puna nëpunësja nënshkruese e garancisë false dhe drejtori i saj.

***

Rasti i korrupsionit skandaloz me privatizimin e ARMO-s i ka kaluar caqet kombëtare, dhe është bërë tani objekt i investigimit dhe gjykimit të sistemit ndërkombëtar të drejtësisë, dhe është e vështirë që autorët dhe ekzekutorët e këtij privatizimi të pistë të shpëtojnë pa u ndëshkuar. Përveç që dueti Ruli-Alibali janë paditur penalisht në prokurorinë e Tiranës, pritet që qeveria shqiptare të përballet me një padi civile ndërkombëtare në Tribunalin e Parisit për një dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh si kompensim për dëmin moral dhe material të shkaktuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›