Emrat e përveçëm në lustrën kosovare
Xhavit Kuqin e takoj shumë shpesh në qytet. Ia zgjas dorën dhe e pyes gjithmonë për familjen. Por asnjëherë nuk e kam pyetur për burgosjen e babait tim dhe arrestimin e shkurtër timin në një kohë shumë të largët. Xhavit Kuqi është njeriu që ka mbetur në mbamendjen e familjes sime. Për të dyja rastet, e kam shembull të një periudhe të sunduar nga kosovarët. Nuk do ta kisha përmendur kurrë emrin e tij sikur të mos linte një përshtypje te fëmijëria ime.
Në prill të vitit 1981 është njeriu që ka burgosur babën tim dhe e ka dërguar në izolim politik në një nga burgjet e Kosovës. Me detyrën zyrtare që kishte, një vit e gjysmë më vonë, më kishte arrestuar për disa orë për një parullë, “Kosova Republikë”, të bërtitur në klasën time. Ishte përvjetori i demonstratave të vitit 1981. Në të dyja rastet ishim viktima të planifikuara të një situate të rëndë që përfshinte vitin 1981 e pastaj.
Kur më kujtohen detajet e asaj kohe, e kam të qartë se nuk ishte edhe aq e rëndë burgosja e babait tim, sa ishte e rëndë koha e lëçitjes së familjes - kur asnjë njeri nuk merrte guximin ta vizitonte familjen time. I vetmi që kishte pas guxim për të sjellë ushqim ishte daja im, me emrin Nasuf Ahmeti, i cili për tre muaj ishte kujdesur për të gjithë ne. Asnjë njeri i vetëm nuk kishte guxuar të përshëndeste familjen time për faktin se Xheladin Sahiti, kryetar i komunës së Gllogovcit, njëri ndër anëtarët e grupit që kishin përpiluar listën për personat e rrezikshëm të Kosovës, pas ngjarjeve të vitit 1981, kishte vendosur që në burgun e Lipjanit të ishin dhjetëra intelektualë me dosje nacionaliste të kohës.
Në shikim të parë, kur shkruhet me këtë gjuhë, del se fajtor për burgosjen e babait tim ka qenë Xhavit Kuqi. Por e vërteta është krejt ndryshe. Kur filluam të kërkonim kujdesshëm se ku ishte babai, sepse askush nuk tregonte vendin e burgimit, po i njëjti person kishte ardhur kujdesshëm për të treguar vendndodhjen, kurse mua më kishte liruar pas një kërcënimi të matur që më kishte bërë. Nuk e harroj Xhavitin që si imazh kishte njeriun që punonte për policinë, kurse në të njëjtën kohë kishte një kujdes për qytetarin shqiptar të Kosovës. Nuk është detyrë e jona të burgosim, e kemi urdhër që ta bëjmë këtë. Kështu ishte deklaruar Xhaviti para derës së shtëpisë sonë, duke na treguar se koha për Kosovën po ndryshonte.
Në të dyja rastet Xhavit Kuqi nuk ishte fajtor. Në të dyja rastet fajtorë ishin ata që kishin spiunuar dhe adresuar dosjet në policinë e Kosovës. Në fund e kuptova se dosjet nuk ishin kosovare, por kishin referencë kohën kur Rankoviçi ishte ministër Policie dhe po aplikonte dorën e fortë në Kosovë dhe kishte vendosur në arkiva lista që hapeshin, sa herë që kishte ndonjë krizë.
Lustrimi për Xhavitin dhe njerëzit si ai duhet shikuar me kujdes. Sepse në njërën anë kishin kryer punën e tyre zyrtare që pas vitit 1968 kishin filluar të ndërtonin një Kosovë me shqiptarët dhe për shqiptarët, kurse në anën tjetër tregonin dhe informonin se sa vështirë ishte të sundohej Kosova pas 11 marsit të vitit 1981. Dhe dosja e vitit 1981 duket shumë e koklavitur. Tepër madje. 25 vite më vonë po lexoja dosjet komuniste. Një arkiv, prej vitit 1956 e këtej. Me mijëra faqe kam lexuar gjatë vitit 2008 për të parë se çfarë kanë qenë shqiptarët e pushtetshëm të kohës së komunizmit. Atë që tjetërkund e bëjnë lustrimin me vite, te ne dosjet kërkojnë shumë pak kohë. Kurse viti 1981 ka qartësuar gjithçka.
Vitet 1968-1981 kanë ndërtuar një Kosovë me bazë të fortë të pavarësisë politike dhe më vonë u pa se njerëzit e Kosovës kishin merita të mëdha për ngritjen e të gjitha institucioneve të Kosovës. Një idealizëm i asaj kohe i dha Kosovës bazat e shtetësisë, të cilat kanë qenë vështirë të depërtueshme, për faktin se kishim një Serbi të fortë dhe një Jugosllavi të përkëdhelur nga bota. Kuvendi i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, spitale dhe çerdhe fëmijësh, institute…., pastaj duhet përmendur Kushtetuta e vitit 1974, e cila i dha bazën shtetit të ardhshëm të Kosovës, janë produkte të kësaj klase politike. Politika e lustrimit ndoshta duhet filluar pas vitit 1981. Thelbi i saj ishte i qartë. T’i ndante shqiptarët në dysh. Kush bashkëpunonte me pushtetin serb, mund të vazhdonte të gëzonte privilegjet, por, kush refuzonte ta bënte këtë, do të përjashtohej nga puna dhe ndoshta edhe të burgosej. Kjo politikë shihet qartë se ishte ushtruar mbi profesorë universiteti, akademikë dhe gazetarë. Viktimë të kësaj politike kishin rënë edhe të gjithë ata komunistë që kishin ndërtuar një Kosovë tjetër që nga viti 1967.
Ilir Mirena në një shkrim të tij në faqen dy të “Express”-it kishte vendosur emra të përveçëm për lustrim. Ata që ai i shënjon, nuk janë të tillë. Apo unë nuk i lexova si të tillë në dosjet komuniste. Madje, disa prej tyre, si Agim Zatriçi, do humbin në peshë, për faktin se dosjet nuk do hapen dhe të shihet qartë fuqia e tyre idealiste e viteve shtatëdhjetë. Për disa të tjerë, Iliri as që gjeti kohë të mendohej. Ai ka harruar se në dosjet e lustrimit, të parët që duhen të gjenden janë deputetët e vitit 1989, të cilët votuan pro ndryshimeve kushtetuese. Dikush mund të thotë se ata ishin të kërcënuar! Fakti se ata ishin përfaqësues të popullit dhe vendosnin për të ardhmen tonë, nuk i arsyeton për pro-në e tyre kundër Kushtetutës së vitit 1974. Për Kosovën e viteve shtatëdhjetë duhet të kihet shumë kujdes, sepse kemi gjeneratën e parë të njerëzve që formësuan idenë e shtetit të Kosovës, mbi të cilën u arrit edhe dokumenti i Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Çdo emër i vendosur në këtë moment pa prekur thelbin e veprimit mund të përgënjeshtrohet në çdo kohë dhe në çdo moment.
Ideja e lustrimit në Kosovë ka tjetër pikë reference. Nuk mund të bëhen ato në emër të komunizmit, por në emër të bashkëpunimit me Serbinë. Për dijeninë e atyre që shkruajnë në këtë temë, mund të thuhet lirisht se Kosova është e pavarur, për faktin se Serbia nuk gjeti asnjë njeri për bashkëpunëtor të vetin gjatë gjithë kohës së jetës paralele në Kosovë. Qofshin ata komunistë apo demokratë. Qofshin ata nacionalistë apo njerëz të Bllacës. Në një mënyrë a tjetër, një komb i tërë u gjend në një pikë kundër Serbisë. Pra, ishte dhuna e shtetit serb me në krye Millosheviçin, ku nuk kishin vendin e tyre vetëm disa njerëz të burgosur dhe grupet ilegale, por aty u përfshinë të gjithë, edhe drejtorët, edhe ish-shefat e policisë, edhe të burgosurit politikë, edhe prokurorët e deridjeshëm.
Pra, Serbia përmes dhunës institucionale kundër një populli të tërë arriti që në njëfarë mënyre t’i amnistojë të gjithë brenda një territori, duke i kthyer kundër vetes dhe duke i futur në një rezistencë kombëtare.
Prandaj, lustrimi i dosjeve në Kosovë s’ka kurrfarë kuptimi. Sepse s’ka kurrfarë kuptimi të vësh komunizmin titist dhe enverizmin marksist si referencë për shqiptarët e Kosovës. Edhe njëra, edhe tjetra kanë shërbyer si qëllim i dytë. Parësore ka qenë diçka tjetër. Të gjithë në një mënyrë a tjetër kishin qëllim betejën kundër Serbisë dhe për Kosovën. Natyrisht që krimet eventuale duhet të penalizohen, sepse krimet kundër jetës së njeriut nuk vjetrohen, kurse njerëzit që kanë ndërtuar dhe punuar në institucione publike duhet të lihen të qetë.