E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët kundër ligjit: Cenon punën tonë

Nga Armand Maho

Shoqata e Prokurorëve reagoi dje në lidhje me projektligjin për prokurorinë, i cili u miratua me konsensusin e dy partive të mëdha në Komisionin e Ligjeve.

Ata janë shprehur se ligji cenon punën e tyre dhe i kanë kërkuar Kuvendit që të bëjë ndryshimet që kërkohen prej tyre. “Ne jemi për rishikimin e nenit 36 të ligjit aktual. Ky nen tashmë është pranuar nga të gjithë, që nuk përbën imunitet për prokurorët, për t’u hetuar e gjykuar për çdo vepër penale që ata mund të kryejnë, me procedurë ligjore si të gjithë shtetasit e tjerë. Ky nen është vendosur për të mbrojtur prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, nga veprimet arbitrare dhe të paligjshme që mund t’i ndodhin”, - thuhet në deklaratën e Shoqatës së Prokurorëve. “Po kështu, ne mendojmë se neni 27 i këtij projektligji, i cili ndryshon nenin 56 të ligjit aktual, rrit aksesin e ekzekutivit për të kontrolluar nëpërmjet ministrit të Drejtësisë punën e prokurorëve, për të raportuar në parlament rezultatet e këtij kontrolli dhe më e rëndësishmja i jep të drejtën t’i rekomandojë Prokurorit të Përgjithshëm marrjen e masave disiplinore për prokurorët, deri në shkarkim të tyre nga detyra.

Këto dy nene, megjithëse të kundërshtuara nga prokurorët, Komisioni i Ligjeve nuk i mori në konsideratë. Për këtë arsye, për të qenë të sigurt dhe të qetë në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorëve duhet t’u garantohet me ligj, të paktën mbrojtja e tyre në ushtrimin e funksioneve. Mendojmë se ky është standard i rëndësishëm për të pasur një prokurori të pavarur, objektive, të qëndrueshme e të pacenuar nga njëra anë, por të kontrolluar në zbatimin e ligjit nga ana tjetër”, - vijon më tej deklarata e tyre.

Prokurorët duken më të shqetësuar edhe për gjykimin që mund t’iu bëhet atyre nga Gjykata e Apelit dhe bëjnë propozime për këtë. “Neni 17 i projektligjit ndryshon dhe riformulon nenin 34 të ligjit aktual si me poshtë: “Kundër masës disiplinore” shkarkim nga detyra prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ndërsa prokurori pranë kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit më të afërt. Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë”.

Këtë formulim e kundërshtojmë për këto arsye:

a. Ky ndryshim bie ndesh me neni 44 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, e cila i jep të drejtë çdo shtetasi që të rehabilitohet në përputhje me ligjin, nëse është dëmtuar nga një vendim apo veprim i paligjshëm i organeve të shtetit.

b. Legjislacioni shqiptar duhet të jetë koherent në tërësinë e tij dhe prokurorët nuk duhet të vendosen në një situatë të ndryshme nga ajo e zyrtarëve të tjerë të shtetit.

c. Siguria për të qëndruar në detyrë dhe për t’u mbrojtur nga një shkarkim i padrejtë, duhet të kuptohet si pjesë e pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Për të gjitha këto dhe shumë argumente të tjera, ne sugjerojmë që neni 34 i ligjit aktual të riformulohet si më poshtë: “Kundër masës disiplinore shkarkim nga detyra, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Lartë. Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos kthimin e prokurorit në detyrën që ka ushtruar më parë”, - thuhet në deklaratën e Shoqatës së Prokurorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›