E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani drejt Bolonjës së serbit Mihajloviç

 

Jetmir Halilaj

Erjon Bogdani mund të jetë pjesë e skuadrës së serbit Sinisha Mihajloviç pas merkatos së janarit. Ky është lajmi më i fundit që vjen nga media italiane. Kievo dhe Bolonja po projektojnë një shkëmbim mes Bernaçit dhe sulmuesit shqiptar. Sipas të përditshmes italiane “L’Arena”, drejtuesit e klubit kuqeblu kanë nevojë për një qendërsulmues të mirëfilltë dhe kanë vënë në dispozicion Bernaçin dhe Adailton. Ky i fundit nuk preferohet shumë nga trajneri i Kievos, Di Karlo, ndaj ka vendosur që në vend të Bogdanit të marrë Bernaçin.
Titullar
Kjo mund të jetë një rokadë me leverdi edhe për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare, i cili padyshim që do të kishte më shumë hapësira te Bolonja dhe do të mund t’i jepte fund shterpësisë së golave të këtij sezoni. Për kalimin e tij te skuadra e Bolonjës ka dhënë OK-in edhe trajneri serbin i kësaj skuadre, Sinisha Mihajloviç, i cili nuk është se shquhet për raporte të mira me shqiptarët. Përkundrazi, tre vite më parë kur ishte ende futbollist dhe luante me Interin, ka pasur një përplasje të ashpër mes ish-kapitenin e Shqipërisë, Igli Taren, asokohe, sulmues i Lacios. Ata patën debate në fushë, por më pas nuk munguan edhe konfrontimet fizike në dhomat e zhveshjes.
Kërkesat
Nëse Bogdani transferohet drejt Bolonjës, kjo padyshim do të ndodhë vetëm nëse nuk përdoret formula e huazimit, pra klubi kuqeblu do të jetë i detyruar të blejë kartonin e tij. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka thënë se nuk do të pranojë kurrë që të transferohet në një skuadër në formë huazimi, kjo pasi pati një eksperiencë aspak të mirë në radhët e Livornos një vit më parë. Lojtari ka thënë se dëshiron të respektojë kontratën që ka me Kievon, e cila skadon pas një viti e gjysmë, por nëse do të vendosë të largohet, atëherë këtë do ta bëjë për të shkuar në një skuadër më të mirë. Bolonja është një mundësi shumë e mirë për të, pasi jo vetëm që është një skuadër më me traditë se Kievo, por me fanellën verdheblu, do të kishte mundësi që të luante edhe si titullar. Bolonja renditet në vendin e 16-të me 15 pikë, ndërsa Kievo renditet në vendin e fundit (20) me 9 pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›