E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci tragjik i kryeministrit dhe hakmarrja ndaj “TemA”-s

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, konfirmoi dje zyrtarisht se po udhëhiqte aksionin për bllokimin e botimit të gazetës “TemA”. I pyetur në konferencën e tij për shtyp, ai tha se duhet “të merrte fund” mbajtja e medias nën sqetullat e qeverisë. Deklarata ilustron vetëm faktin që Berisha është i angazhuar personalisht në shenjë hakmarrjeje ndaj gazetës “TemA”, e cila, për fatin e saj, jo vetëm që nuk ka jetuar nën sqetullat e qeverisë, por ka mbijetuar nga përpjekjet e saj për ta eliminuar.

Gazeta “TemA” ka fituar me ankand një kontratë investimesh në një sipërfaqe të shkatërruar fabrike në tetor të vitit 2007, kur ishte tejet e acaruar me qeverinë e zotit Berisha, pasi kishte muaj të tërë që botonte një sërë skandalesh të mbesës së gruas së tij, Elvana Hana, që ka uzurpuar fondet e shëndetësisë, që qarkullon paratë e shqiptarëve në bankën e saj private, “Credins”, që kishte të punësuar me rekomandime të Shkëlzenit dhe Argitës 7 kushërira të para në punë, dhe që ishte dhe mbetet model i nepotizmit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Periudha jonë 15-mujore në luftë me qeverinë, periudha kur kemi shkruar për implikimin e djalit të tij në Gërdec, implikimin e vajzës së tij në çështjen Fazlliç dhe implikimin e tij në tenderimin jashtë ligjit të një segmenti super të shtrenjtë rrugor, ka qenë njëkohësisht dhe periudha kur ne kemi investuar në këtë shtypshkronjë. Kontrata e fituar është me një çmim të lartë, më lart se në tregun privat, por gabimi ynë është se besojmë në shtetin ligjor dhe lirinë ekonomike. Kjo na shtyu të investojmë me një plan biznesi 20-vjeçar, i cili tani po hidhet në erë nga hakmarrja primitive në emër të djalit, të vajzës dhe Lulit, që ekzekutohet nga shefi i familjes, Sali Berisha.

Nëse do të ishte e vërtetë që një media që merr një kontratë investimesh me shtetin për 20 vjet, jeton në sqetullat e qeverisë, atëherë TV “Klani” që ka marrë rreth 10 mijë metra, gjysma me letra e gjysma pa letra në Kinostudio, duhet të quhet një super i privilegjuar i qeverisë. Po kështu, televizioni i familjes Berisha, me pronar kunatin e tij dhe mbesën e gruas së tij, i quajtur tashmë MEDIASAT, ish-ATN1, i cili është krijuar me fondet e dhuruara nga demokratët në opozitë, po ashtu ka zaptuar ca me letra e ca pa letra rreth 2 mijë metra tokë dhe ndërtesa. Plani i tyre është një pallat tetëkatësh. Me kontratë të njëjtë si gazeta “TemA” janë disa televizione e media të tjera, si NTV, Ora News, News 24, “Gazeta Shqiptare”, A1, TVA etj. Të gjitha këto televizione punojnë sipas kontratave me qira me shtetin në objekte që kanë qenë të falimentuara dhe që i kanë ringritur në këmbë. Fakti që Berisha ende nuk u ka çuar policë apo buldozerë, do të thotë se ato media nuk e bezdisin atë nën sqetullat e tij. Kjo është mes të tjerash një fyerje për punën e tyre, por dhe për sakrificat e tyre. Koncepti primitiv i kryeministrit për hakmarrje ndaj medias që e kritikon, duket se është shumë i lexueshëm. Përfytyrimi i tij i parë për kundërshtarin janë ruspat dhe policët, me të cilët mendon se mund të shkatërrojë gjithçka. Në të vërtetë është duke shkatërruar vetëm imazhin e tij si kryeministër primitiv dhe si baba i dorëzuar para një bande familjare që grabit gjithçka çfarë i del para. Media që paguan qiratë e objekteve të shkatërruara shtetërore dhe që i ka rindërtuar ato, jo vetëm që nuk jeton në sqetullat e qeverisë, por është ndoshta investimi i vetëm që është bërë këto vite. Dikush pastaj e ka zgjatur dorën te tenderat e reklamave dhe të rrugëve, por kjo nuk i përket gjithë medias. Janë thjesht dy-tri kokrra që e kupton lehtë, qoftë dhe sikur të skedosh kush e mbron p.sh., Damir Fazlliçin në media. Pjesa tjetër e medias ka ruajtur dinjitetin e saj dhe natyrisht i ka bërë nder qeverisë duke investuar në ndërmarrje të falimentuara, duke i ringritur ato. Akti i qeverisë ndaj gazetës “TemA” është akt për të prishur investimet e saj, pra është e kundërta e asaj çfarë një shtet ligjor duhet të bëjë ndaj një sipërmarrjeje të lirë.

Unë e kuptoj që Sali Berisha është kryeministër në hall. Asnjë kryeministër shqiptar nuk ka patur një fat kaq tragjik dhe një rrënim kaq të madh në raport me korrupsionin sa ky. Asnjë kryeministri nuk i ka ndodhur që për tri vjet në pushtet, t’i shkojë në prokurori djali, vajza dhe Luli. Këtij i ka ndodhur, dhe ka qenë e pashmangshme, pasi babëzia dhe arroganca për të vjedhur nuk njohën kufij. Nën sqetullat e ngrohta të Sali Berishës ata janë kthyer në simbol të plaçkitjes së këtij vendi dhe do të mbahen mend gjatë si të tillë. Ne ndjehemi krenarë si gazetarë që kemi mundur t’u tregojmë shqiptarëve kush janë ata dhe pse kryeministri ynë ka këtë bilanc tragjik me korrupsionin. Ai ka lënë të mjerë, jo vetëm fëmijët jetimë, apo prindërit pa fëmijë, të Gërdecit, por dhe familjarët e vet që i sakrifikoi në atë histori të ndyrë korrupsioni. Është i pari dhe uroj të jetë i fundit kryeministër i këtij vendi, që ka vrarë duke vjedhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›