Kriza në arsimin e lartë vjen nga komunistizimi i tij
Lajmi se qeveria vendosi themelimin e një universiteti të mjekësisë mbi bazë të fakultetit ekzistues të mjekësisë, pjesë e Universitetit të Tiranës, ishte një lajm tronditës, sepse dha sinjalin e rikthimit në standardet dhe procesin e formimit të universiteteve sipas stilit të dikurshëm lindor, pra, sipas një stili të pastër komunist. Në të ardhmen, sipas këtij vendimi, Shqipëria do të ketë një tjetër universitet të specializuar, ashtu siç kemi sot Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin Politeknik apo ndonjë universitet tjetër. Pra, do të kemi një universitet tjetër të denatyruar, sepse do të kemi një institucion të arsimit të lartë që është edhe universitet, edhe i specializuar, çka bie në kundërshtim me natyrën apo karakterin universal të këtij institucioni në mbulimin e fushave të dijes dhe të administrimit të saj. Shqipëria iu rikthye edhe njëherë procesit të filluar në kohën e diktaturës së proletariatit, në kohën kur sistemi lindor, pas Luftës së Dytë Botërore, po ndahej qartësisht në objektivat e tij të zhvillimit nga ai perëndimor. Ashtu si atëherë, gjesti qeveritar i themelimit të një universiteti tjetër të specializuar dhe në kurriz të universitetit më të mirë të vendit, të universitetit më natyror në hapësirën shqiptare, pra të Universitetit të Tiranës, është një shenjë e frikshme që të rikujton kohën kur në vend të zgjidhnim Perëndimin, iu bashkëngjitëm Lindjes dhe përjetuam krejt tragjedinë që e shoqëroi këtë bashkëngjitje. Ndërkohë që Perëndimi ndiqte traditën e tij në fuqizimin e universiteteve ekzistuese dhe themelimin e universiteteve të reja me natyrë të universalizuar, pra me shumicën e fushave të dijes të përfshira në të dhe të organizuara në fakultete e departamente të shumta brenda strukturës universitare, Shqipëria, që fillimisht kishte vetëm një universitet, u përfshi nën sundimin e frymës lindore, sovjetiko-bullgare, dhe filloi të realizojë procesin e formimit të universiteteve të specializuara, çka në fakt, shënoi për herë të parë edhe fillimin e procesit të krijimit të gjërave që nuk përputhen me të natyrshmen, devijojnë prej saj, dhe akoma më shumë, i kundërvihen të natyrshmes për shkaqe thjesht ideologjike. Kjo shënoi sigurisht edhe fillimin e procesit të kryerjes së gjërave jo në mënyrë ekonomike, me shpenzime të tepërta energjie, pra me një rendiment të ulët, që në fund do të bëhej edhe shkaku final i rrëzimit të sistemit politik totalitarist në Shqipëri dhe kudo në hapësirën lindore. Në këtë proces, jo shumë më vonë, nën frymëzimin e specializim-përqendrimit, terma këto me përmbajtje të marrë nga ideologjia komuniste, filloi edhe procesi i ndarjes së shkencës nga arsimi i lartë dhe formimi i Akademisë së Shkencave, si një institucion shkencor jashtë sistemit të arsimit të lartë, çka përbënte një hap tipik lindor.
Në thelb, adoptimi i ideologjisë komuniste nga shteti shqiptar ishte edhe shtrati më i gjerë, në të cilin u mbështet krijimi i një sistemi të arsimit të lartë që përbëhej nga universitete të specializuara. Ky denatyrim i tyre, në fakt, lidhej me dy elementë apo atribute të vetë sistemit të dikurshëm komunist, që sigurisht ishin edhe pjesë e përmbajtjes së tij: Së pari, nevoja e brendshme e sistemit për të planifikuar specialistët e një fushe të caktuar, gjë që lidhej ngushtësisht me natyrën autokratike dhe depërtimin e thellë të vetë sistemit në jetën e shoqërisë dhe të njeriut. Kjo nevojë plotësohej në përputhje me prioritetet, d.m.th., bujqësia ishte një prioritet dhe për këtë shteti duhet të orientonte arsimin drejt atij bujqësor, çka mund ta bënte duke e specializuar dhe përqendruar atë, pra duke krijuar të ashtuquajturin ish-Institutin e Lartë Bujqësor, sot universitet, gjë që sipas mentalitetit të atij sistemi, do të ndihmonte forcimin e sektorit bujqësor të vendit. Po kështu, ndodhi me Universitetin Politeknik. Industria mekanike apo industri të tjera ishin një prioritet për vendin, prandaj edhe një universitet i specializuar do të ndihmonte përmirësimin e gjendjes atje. Së dyti, universitetet e specializuara ishin një mënyrë e mbështetjes së luftës së ftohtë, një formë e shfaqjes së gjigantomanisë. Ato u shndërruan në instrumente të realizimit të doktrinës së izolimit, pra doktrinës së mbështetjes në forcat e veta. Në thelb, ishte një tentativë për të specializuar arsimin në përputhje me planifikimin e ekonomisë dhe e gjitha kjo në harmoni me mbështetjen në forcat e veta për shkak të izolimit, ndërsa izolimi vinte si produkt i ideologjizimit, ose triumfit të sistemit komunist. Në këtë pikëpamje, e gjithë shoqëria u ideologjizua, prandaj edhe universitetet, të cilat punuan në funksion të këtij ideologjizimi. Shumë shpejt universitetet e specializuara u rënduan dhe humbën efektivitetin e tyre. Ato humbën aftësinë për të prodhuar ide, dhe u shndërruan në gllabërues fondesh, pa i kthyer asgjë shoqërisë. Teoria e kapitalit njerëzor (arsimimi konsiderohet një investim, d.m.th., vlera e shtuar për shkak të edukimit konsiderohet si kapital, pra si pará që krijon pará; ndërsa fitimi që krijon shoqëria është diferenca midis të ardhurave që prodhohen nga gjenerata e arsimuar dhe shpenzimeve të bëra për të arsimuar atë që në thelb shpjegon edhe vlerën e një universiteti) dështoi, çka në thelb bëri që universiteti të ishte një strukturë me humbje, me një rendiment negativ brenda shoqërisë.
Nga ana tjetër, universitetet e specializuara sollën automatikisht edhe monopolin e dijeve në një fushë të caktuar, çka në thelb, nulifikoi konkurrencën. Duke mos pasur konkurrentë që punojnë në të njëjtën fushë, pra duke mos pasur simetri fakultetesh brenda universiteteve të ndryshme të vendit, pra duke mos pasur universitete të universalizuar, por në vend të tyre universitete të specializuar me monopol fushash mësimore dhe të kërkimit shkencor, nuk kishte edhe konkurrencë në prodhimin e dijeve, në zhvillimin e metodave të mësimdhënies në fusha të njëjta, në kërkimin shkencor. Mungesa e konkurrencës, për shkak të denatyrimit të universiteteve, “i bëri gati” ata për t’u rrëzuar të parët, si lajmëtarë të rrëzimit të pritshëm të sistemit komunist.
. . .
Pas viteve ‘90, politika duhet të bënte të kundërtën e asaj që bëri. Ajo duhet të punonte për universalizimin e institucioneve të arsimit të lartë, për përputhjen e madhësisë dhe numrit të tyre me madhësinë e popullsisë dhe mbi këtë bazë, për të krijuar edhe premisën e konkurrencës dhe të përmirësimit të cilësisë së produktit të tyre. Universalizimi i universiteteve do të duhej të vinte si një proces i natyrshëm i bashkimit, shkrirjes, dhe nga ana tjetër, edhe si një proces i krijimit të bërthamave të reja brenda universiteteve tradicionalë, që gradualisht do të zhvilloheshin në kohë duke universalizuar universitetet aktualisht të specializuara, të profilizuara. Koha menjëherë pas viteve ‘90 ishte një kohë krize dhe si e tillë, ishte një kohë shumë e përshtatshme për të realizuar ndryshime të mëdha. Sepse, sipas një parimi shumë të njohur për politikëbërësit, shpërthimi i një krize është një bekim në fshehtësi. Ajo jep mundësi që nga njëra anë problemet të bëhen fare të qarta dhe nga ana tjetër, po për këtë arsye, njerëzit do t’i kuptojnë ato dhe prandaj do të mirëkuptojnë politikëbërësit në reformat e tyre.
Në demokraci, pra në kushtet e ekonomisë së tregut dhe të pluralizmit, një universitet i pauniversalizuar, d.m.th., një universitet i specializuar, i profilizuar, është në fakt një universitet kalimtar, i paqëndrueshëm, është një gjendje midis një shkolle jo-universitare dhe një universiteti të vërtetë. Kush ka njohuri sado të pakta nga kimia fizike, mund të krahasojë një universitet të profilizuar me elektronin që përkohësisht gjendet midis dy orbitave energjitike të atomit dhe që do të ketë një nga dy fatet e mëposhtme: ose të humbë energji dhe të kalojë në orbitën e mëposhtme, pra universiteti i profilizuar i bashkëngjitet një universiteti tjetër, ose të fitojë energji dhe të kalojë në orbitën më larg bërthamës, çka nënkupton të ndërtojë departamente dhe fakultete të reja, pra të fitojë energji dhe në këtë mënyrë të stabilizohet si një universitet i universalizuar. Gjendja e ndërmjetme nuk zgjat dhe nuk ka mundësi të zgjatë shumë.
Në vend që të transformonte sistemin e arsimit të lartë në përputhje me misionin e tij në një vend demokratik, politika shqiptare, si e djathta, ashtu edhe e majta, bëri pikërisht të kundërtën, vazhdoi të thellojë specializimin e universiteteve dhe paralelisht me të, filloi të hapë universitete të reja mbi bazë territori, krahine, jashtë çdo raporti me popullsinë në nevojë për arsimimin e lartë dhe thjesht për motive politike. U hapën universitete rrethesh jashtë çdo kriteri, mjafton të gjendej një godinë dhe ajo emërohej menjëherë si universitet. Edhe në ish sistemin komunist nuk ishte shkuar kaq larg. Ndërtimi i universiteteve pa qenë të tillë, të specializuar, mbi baza territori dhe jo mbi parimet e cilësisë, konkurrencës dhe efektivitetit, e thelluan edhe më shumë krizën e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri.
. . .
Vendimi i qeverisë për themelimin e Universitetit të Mjekësisë, bazuar në lajmin e dhënë në media, justifikohet me nevojën për të rregulluar gjendjen në sistemin shëndetësor, i cili është në krizë, por edhe një prioritet i qeverisjes. Argumenti është ekzaktësisht i njëjtë me argumentin që u dha dikur, në regjimin komunist, për formimin e universiteteve të specializuara si ai Bujqësor apo ai Politeknik. Argument i njëjtë pas kaq shumë vitesh dhe në kushtet e një sistemi tjetër politik. Qeveria e konsideron mjekësinë një prioritet dhe për këtë shteti duhet të orientojë arsimin drejt atij mjekësor, çka mund të bëhet duke e specializuar dhe përqendruar atë, pra duke krijuar një universitet të veçantë në këtë fushë. Pra, qeveria shqiptare mendon se kriza në shëndetësi do të mund të zgjidhet në qoftë se i rikthehemi edhe njëherë stilit të vjetër të organizimit të arsimit të lartë, pra, vetëm në qoftë se bëjmë një gjë shqiptare, thellësisht të tillë. Dhe në kurriz të të vetmit universitet që mund t’i afrohet standardeve të Bolonjës nesër, Universitetit të Tiranës. Të cilin e ngushtojmë, i tkurrim hapësirën që e bën relativisht të universalizuar sot. Dhe në kurriz të të gjithë universitarëve të sektorit të shëndetësisë, të cilët shumë shpejt do ta ndjejnë peshën e devijimit nga standardi, pakrahasueshmërinë me strukturat e tjera akademike të së njëjtës fushë në hapësirën evropiane, prandaj edhe humbjen e lidhjeve me kolegët e tyre të kësaj hapësire.
Arsimi i lartë është një shërbim që i bëhet një individi, por prej të cilit përfiton jo vetëm ai, por krejt shoqëria. Prandaj, në dhënien e këtij shërbimi, ka një përgjegjësi që para se të jetë përgjegjësi e pedagogut, është një përgjegjësi publike, pra e gjithë shoqërisë. Dhe në radhë të parë është përgjegjësi e autoriteteve publike që kanë marrë pushtetin për ta ushtruar këtë përgjegjësi. Këtë radhë, tragjedia që po ndodh në arsimin e lartë dhe po e largon atë gjithmonë e më shumë nga procesi i evropianizimit të tij, është përgjegjësi direkte e qeverisë së PD. Heshtja e demokratëve ndihmon në mosplotësimin e kësaj përgjegjësie dhe në dështimin për një mandat tjetër. Heshtja e qytetarëve është më e rëndë. Sepse nëse nuk i ka ardhur, me siguri do tu vijë nesër radha fëmijëve të tyre të mësojnë në një shkollë që nuk është më.