Variacione mbi Temën
Mes medies dhe politikës në Shqipëri nuk ka marrëdhënie të mira. Konflikti që karakterizon shoqërinë shqiptare që nga rënia e regjimit të kaluar, herë pas here nxjerr kokën. Rasti i fundit ka të bëjë me gazetën “TemA”, një e përditshme në Tiranë, dhe drejtorin dhe botuesin e saj, Mero Baze.
“TemA” është një gazetë e djathtë, tradicionalisht simpatizuese dhe besnike e Partisë Demokratike dhe në mënyrë të veçantë e lidhur me kryeministrin aktual, Sali Berisha. Por, kohët e fundit, gazeta dhe drejtori i saj, Mero Baze, u duk se ndryshuan rrënjësisht mendim, duke u përfshirë në një fushatë hetimi gazetaresk mbi çështjet më të sikletshme, të cilat përfshinin kryeministrin, mes të cilave procesi i shpërthimit të armëve në Gërdec, marsin e shkuar, i zhvilluar në mungesë të plotë transparence, përfshirja dhe mbrojtja pa kushte që kryeministri i ofroi Damir Fazlliçit, biznesmen serbo-boshnjak i dyshuar për aktivitete të jashtëligjshme në Shqipëri; dhe korrupsioni në projektin më të madh aktual të qeverisë, autostrada Durrës-Kukës.
Të shumtë ishin ata që u habitën nga ky ndryshim i papritur i marrëdhënieve mes kryeministrit dhe drejtorit të “TemA”-s, por të paktë janë ata që dinë realisht të shpjegojnë arsyet që fshihen pas gjithë kësaj. Baze, nga ana e tij, shpjegon se ndryshimi erdhi si pasojë e “humbjes së durimit dhe zhgënjimit të madh përballë shumë gënjeshtrave të kryeministrit”. Komentet e tij u publikuan dhe cituan gjerësisht gjatë muajve të fundit nga media të ndryshme.
Kryeministri Berisha, i cili nuk ka treguar kurrë dashamirësi të madhe në raport me medien, shpesh duke neglizhuar kufijtë e të qenit politikisht korrekt, ka arritur deri aty sa t’i përkufizojë gazetarët “mafiozë, kriminelë, të korruptuar”, nuk ka kursyer as Bazen, duke e akuzuar që është shndërruar në një “vegël të opozitës”. Por konflikti mes Bazes dhe Berishës degjeneroi 16 dhjetorin e kaluar, kur papritur redaksia mori urdhrin të boshatiste godinën në pronësi të shtetit, e marrë me qira me një kontratë 20-vjeçare.
Një sinjal tjetër shqetësues mbërriti pak ditë më pas, kur makina private e Bazes, një BMW e re, mori flakë në një parkim që ndodhej poshtë banesës së gazetarit. Për shkak të zjarrit Mero Baze natyrisht që nuk i ndaloi akuzat, duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti kryeministrit, të cilin ai e përkufizoi “të rrethuar nga një shpurë keqbërësish, të aftë të bëjnë gjithçka”. Por inspektorët e policisë i mbyllën hetimet brenda pak ditësh, duke shpjeguar së zjarri ishte shkaktuar nga një qark i shkurtër. Edhe opozita dhe Urdhri i Gazetarëve Shqiptarë komentuan zjarrvënien e dyshimtë të BMW-së së Bazes, duke e përkufizuar si “një kërcënim ndaj lirisë së medias”, “një akt që do t’i mbyllë gojën medias”.
Për çështjen në fjalë Berisha nuk bëri asnjë deklaratë.
Ndërkohë, ditët e para të vitit të ri gazetarët e “TemA”-s u gjendën përballë policisë, e cila i ndalonte ata të hynin në redaksi. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pronare e sipërfaqes së tokës, në të cilën ndodhet dhe redaksia e gazetës “TemA”, në fakt pretendoi prishjen e kontratës, duke thënë së kontrata e lidhur për 20 vjet, ende në fuqi, e lejon pronarin të rimarrë në pronësi ndërtesën në rast nevoje, edhe me anë të një prishjeje të njëanshme pa paralajmërim. “Nevoja” kishte të bënte me instalimin në ambientet e ndërtesës të makinerive tipografike që do të prodhojnë dokumentet e reja të identitetit, të nevojshme përpara së të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Prishja e kontratës u bë, edhe pse çështja kishte shkuar në gjykatë.
Për rrjedhojë, “TemA” prej ditësh botohet në një version të reduktuar, pranë selisë së një televizioni privat, që për momentin ka mirëpritur redaksinë.
Për mediet dhe opozitën bëhet fjalë për një përpjekje mjerane të qeverisë për të mbyllur një gazetë. Opozita - edhe pse duke vënë në pah besimin e ndryshëm politik – mbështeti betejën e Bazes.
“Liria dhe e drejta për të pohuar atë që mendon, është një liri dhe një e drejtë që na përket të gjithëve, prandaj unë i ofroj gjithë mbështetjen time sot një gazetari dhe botuesi, i cili nuk më ka mbështetur kurrë”, - u shpreh lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Aleksandër Çipa, president i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, denoncoi: “Veprime të tilla na shtyjnë poshtë në listën e vendeve me probleme të rënda në raport me lirinë dhe medien”.
Nuk munguan as ata që donin të kujtonin se rasti i “TemA”-s nuk është aspak diçka e re në Shqipëri. “Përplasja e Berishës sot me gazetën “TemA” është identike me përplasjen e Berishës dje me të përditshmen “Koha jonë”, - pohon analisti Andrea Stefani, duke përmendur ndodhinë e ngjashme, të ndodhur me një gazetë tjetër të përditshme në ’97.
Shumë vetë kanë bindjen se “TemA” është vetëm viktima e radhës. Në marrëdhëniet konfliktuale mes medies dhe politikës janë të panumërta rastet e verifikuara vitet e fundit: mjafton të kujtosh gjobën e vitit të shkuar, që iu vu televizionit News 24 (sepse transmetoi një spot të një OJQ-je, që rimerrte një spot mbi fushatën antikorrupsion të bërë nga kryeministri, Sali Berisha); televizionin Top Channel dhe përpjekjet për ta përzënë nga selia e tij pranë Piramidës, një ndërtesë në qendër të kryeqytetit, apo raste të tjera të paqarta mbi të drejtat e transmetimit dhe të instalimit të televizioneve private Top Channel e Vizion plus.
Përveç reagimeve të botës politike dhe mediatike të Tiranës, kritika kanë mbërritur edhe nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë në kryeqytet, si dhe nga organizatat ndërkombëtare që veprojnë në të njëjtën fushë.
“Reporterë pa kufij” ka kritikuar qeverinë shqiptare për përpjekjen e saj për të çuar drejt mbylljes të përditshmen “TemA”. “I bëjmë thirrje ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, që të respektohet vendimi i gjykatës, që të lejohen gazetarët e “TemA”-s të kthehen në ambientet e tyre. Ftojmë qeverinë shqiptare të mos përdorë strukturat e shtetit kundër medies”, - thuhet në deklaratën e kësaj organizate.
“Në vend që të merren me gazetarët, autoritetet duhet të hetojnë mbi shpërthimin e makinës private të Mero Bazes, - deklaron Nina Ognianova, koordinatore e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me seli në një Nju-Jork, - metoda të tilla për të frikësuar mediet kritike janë në mospërputhje me rrugën demokratike, të cilën Shqipëria ka zgjedhur të ndjekë.”
Raporti i fundit i organizatës Freedom House për Shqipërinë, i publikuar pak ditë më parë, nuk lë vend për optimizëm. Shqipëria kualifikohet si një vend “pak i lirë”, duke mbetur shumë vende pas në raport me fqinjët e saj në Ballkan, duke mos shënuar asnjë progres në krahasim me vitet e kaluara. “Shpesh kryeministri i denigron mediet dhe i akuzon për lidhje me krimin e organizuar, pa i bazuar akuza të tilla me të fakte konkrete. Ekziston pra një atmosferë e përgjithshme agresive përballë kritikave që vijnë nga media”, - shprehen për mediet përfaqësuesit e organizatës.
Përgatiti: Marjola Rukaj