E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkund sistemin

Nga Fareed Zakaria, “Newsweek”

Fjalimi i parë i përurimit nga Franklin Delano Roosevelt njihet vetëm për një fjali: “Të vetmes gjë që duhet t'i frikësohemi është vetë frika.” Por audienca në atë kohë nuk i kushtoi shumë vëmendje këtij rreshti dhe gazetat e varrosën në raport ditën tjetër. Ashtu si shkruan Jonathan Alter në librin e tij “Momenti përcaktues”, fjalët, të cilat morën duartrokitjen më të madhe, ishin pak më specifike. “Do të kërkoj nga Kongresi instrumentin e vetëm për t'u përballur me krizën”, - tha Roosevelt. Ditën e ardhshme ballina e “The New York Herald Tribun” ishte: “Për diktaturë nëse është nevoja”.

Ne nuk jemi në vitin 1933, dhe askush nuk do të përkrahte, as të injoronte një pushtet të tillë të shqepur. Por presidenti Barack Obama duhet të fillojë shpejt të planifikojë një sërë masash që të tërhiqen SHBA nga gjendja e tyre e tashme dhe e papërmbajtur ekonomike. Presidenti kuptueshëm gjatë ditëve të tij të para është fokusuar në premtimet e rëndësishme të fushatës, dhënia fund torturës dhe mbyllja e Guantanamos, por tani ai duhet të sjellë në vend sfidën më të madhe, me të cilën përballet vendi.

Ekonomia amerikane po përjeton tendosjen më të keqe ekonomike që nga viti 1974, një recesion, i cili, si duket, do të jetë më i gjati që nga Lufta e Dytë Botërore. Por kjo nuk është më e keqja. Sistemi financiar amerikan është i thyer në efektshmëri. Bankat e mëdha po shkojnë drejt paaftësisë së pagimit, aktiviteti i kredive mbetet shumë i dobët. Gjersa sektori financiar të mbetet i bllokuar, konsumatorët amerikanë dhe kompanitë që së bashku përbëjnë 80% të prodhimit vjetor, nuk do të kenë qasje në kredi. Ne nuk jemi kthyer në kthesë, madje as që po e shohim atë kthesë. Në Uashington dhe në media, ne jemi ndalur së menduari për shpëtimin e sistemit financiar, ky është tregimi i vitit të kaluar. Por, pavarësisht injektimit të qindra miliardë dollarëve dhe premtimeve për shumë miliarda të tjerë, bankat ende nuk po huazojnë. Pa një sistem financiar funksional, stimuluesit masivë nuk do ta kthejnë ekonominë në një trajektore normale të rritjes. Japonia u përpoq të rindizte ekonominë me stimuluesin më të madh fiskal në botë në vitet 1990. Kjo nuk bëri asgjë për rritjen afatgjatë në atë vend.

Sidoqoftë, qeveria duhet të bëjë diçka. Presidenti Obama përballet me një dilemë të tmerrshme. Ai duhet të veprojë shpejt dhe në një shkallë masive. Një pjesë e asaj që ka demoralizuar tregjet ka qenë natyra e pasigurt e përgjigjes së qeverisë. A do të shpëtojë këtë bankë apo atë tjetrën? Në çfarë kushtesh? Një qasje e gjerë sistematike e angazhon qeverinë në një rrugë, në një zgjedhje, dhe nuk lejon eksperimentime. Është gjithashtu tejet e kushtueshme. Mirëpo, pa një aksion të gjerë, sistemi financiar do të vazhdojë të derdhë gjak.

Politikat e kësaj janë edhe më të këqija. Publiku amerikan beson se tashmë kemi shpenzuar tepër duke i shpëtuar këto banka. Por fakti ekonomik është se nuk kemi shpenzuar sa duhet. Pa disa qindra miliardë dollarë, këto organizata do të mbesin si mumie dhe ekonomia do të mbetet e paralizuar.

Shpejtësia gjithashtu është e domosdoshme. Në qarqet e ligjvënësve të SHBA në vitet 1990 ka qenë zakon që të përqeshet qeveria japoneze, për shkak të përgjigjes së ngadalshme ndaj krizës, e cila solli stanjim ekonomik për më shumë se një dekadë. Në fakt japonezët morën masa drastike: ata injektuan kapital në bankat e tyre, zvogëluan vlerën e interesit dhe nisën një stimulues masiv fiskal. Por ata pritën disa vjet, para se të konfrontonin problemet e tyre dhe kjo e zvogëloi efektshmërinë e masave që morën. Rezerva Federale e ka marrë mësimin e vet dhe ka lëvizur shumë më shpejt sesa Banka e Japonisë. Por, a do të lëvizë sistemi politik amerikan më shpejt se ai japonez?

Ekziston një debat i zjarrtë rreth asaj që duhet të bëhet tani. Por në zemër gjithkush duket se po pajtohet me diagnozën e ish-sekretarit të Thesarit, Henk Paulson, problemi është se bankat kanë plot aktivitete të këqija (që kanë të bëjnë me hipoteka). Këto aktivitete janë “toksike”, sepse ato infektojnë bilancet të tjera të bankës, dhe ua vështirësojnë operimin. Këto aktivitete duhet të mbyllen, të vihen në karantinë, në mënyrë që sistemi financiar të fillojë të funksionojë sërish.

Kriza e tashme ka shkaktuar një erozion të thellë të fuqisë amerikane, që ne as nuk e kemi kuptuar tërësisht. Edhe thellë në Luftën e Irakut, kur shumica e botës ishin të mllefosur me njëanësinë e George W. Bushit, njerëzit kudo besonin se SHBA e kishte ekonominë më të përparuar të botës dhe se tregjet e saj kapitale ishin më të sofistikuarat dhe më të zhvilluarat. Zyrtarët, biznesmenët dhe ekonomistët amerikanë na këshillonin të kopjonim sistemin amerikan. Ky sistem tani përgjatë botës shihet si një mashtrim, një lojë kazinoje, ku pjesëtarët e paguar shumë e menaxhuan keq rrezikun dhe rregullatorët shumë të respektuar i përkrahën ata. Kam udhëtuar për në Evropë, Azi dhe Lindje të Mesme gjatë tre muajve të kaluar dhe po e shkruaj këtë nga Kanadaja. Qëndrimet e zyrtarëve dhe biznesmenëve shtrihen prej tronditjes deri te mllefi për shkak të asaj që po shohin në SHBA.

Kur nisi garën e tij për Shtëpi të Bardhë, Barack Obama mendoi se ai do të mund të kthente fuqinë dhe udhëheqjen amerikane, duke rregulluar politikën tonë të jashtme, duke ndalur luftën në Irak, duke mbyllur Guantanamon, duke i dhënë fund torturës. Këto janë të gjitha politika me rëndësi dhe jam i lumtur që ai po i ndjek. Por, në këtë moment, mënyra më e rëndësishme që ai të kthejë kredibilitetin dhe ndikimin e Amerikës në botë, është duke e shpëtuar modelin amerikan.

Retorika e Obamës sugjeron se ai e kupton këtë çështje. Por a e kupton Kongresi? A mund të përballet sistemi politik amerikan me këtë sfidë? SHBA duhet të marrin masa të jashtëzakonshme, shumë nga këto jo të përkrahura, të mbulojnë deficite të mëdha, e pastaj shpejt t'i zvogëlojnë këto garanci dhe obligime, të hyjnë në një rrugë të maturisë strikte fiskale dhe të spastrojnë tërë sistemin financiar. Nëse nuk e bëjnë këtë gjë, bota nuk do të flasë për fuqinë amerikane, por për dobësinë e saj. Amerika do të jetë një model, po, por i madhështisë dhe rënies.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›