Gjinushi në Kongresin e PSD-së: “Do të jemi në qeverisje nëse fiton koalicioni i PS-së”
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka zyrtarizuar koalicionin në të cilin PSD-ja do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë punimeve të djeshme të Kongresit të PSD-së, kreu i kësaj partie, Skënder Gjinushi, tha se PSD-ja do të jetë pjesë e qeverisjes në rast se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, PSD-ja do të luajë rol kryesor në qeverisjen e së majtës. Gjinushi deklaroi se partia që ai kryeson është aleate e natyrshme e PS-së dhe se ndryshimi mes aleatëve të vërtetë dhe pseudoaleatëve u dallua në zgjedhjet e 2005-s. “Sistemi i ‘Dushkut’ dhe përçarjet sollën në pushtet të djathtën”, - tha Gjinushi. Më tej, gjatë fjalës së tij, kreu socialdemokrat akuzoi kryeministrin Berisha se i mashtroi shqiptarët për rritjen ekonomike mbi 10%. Gjinushi u shpreh se Berisha nuk e mbajti fjalën për të punësuar shqiptarët. “Berisha premtoi punësim dhe punësoi 150 veta në minierën e Gërdecit, premtoi ulje taksash dhe rriti taksimin ndaj pagave të infermierëve dhe ndaj mësuesve”, - vijoi më tej ai. Gjinushi tha se këto janë pasoja të keqqeverisjes, dhe jo të krizës ekonomike, e cila, sipas tij, vetëm sa i ka rënduar më tepër pasojat. Gjinushi premtoi se në rast se PSD-ja dhe koalicioni i majtë do të fitojnë zgjedhjet, ata do ta nxjerrin vendin nga kriza. Ai u shpreh se PSD-ja do të rikthejë rendin kushtetues dhe do të rishikohen të gjitha ligjet antikushtetuese. Kreu i PSD-së deklaroi se përparësitë e kësaj force janë arsimi, punësimi dhe shteti ligjor. Këto deklarata Gjinushi i bëri në Kongresin e 5-të të PSD-së. Kongresi rikonfirmoi Skënder Gjinushin si kryetar të Partisë Socialdemokrate. Në Kongresin e 5-të të kësaj partie Gjinushi ishte kandidatura e vetme për postin e kryetarit. Nga Kongresi dolën edhe emrat e Këshillit Kombëtar të PSD-së. Këshilli do të miratojë në një mbledhje tjetër listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë, programi me të cilin PSD-ja do të futet në zgjedhje pritet të miratohet sot.
Luis Tanushi
1 Maj 2009