E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja Fazliç, pronat gati për në gjykatë

Asgjë nuk i ka ndaluar prokurorët e Tiranës për të vazhduar analizat e dosjes “Fazlliç”, e cila, për t’u ruajtur nga dekonspirimi, është mbyllur në një kasafortë.

Deklaratat politike dhe sulmet institucionale të anëtarëve të Këshillit të Ministrave ndaj organit të Prokurorisë së Tiranës duket se kanë shkuar në “vesh të shurdhër”, pasi hetuesit kanë përcaktuar dje edhe “detyrat” në për hetimin e çështjes.

Një grup hetuesish po verifikojnë pronat, ndërsa janë ndihmuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërsa prokurorë dhe hetues të tjerë kanë për detyrë marrjen në pyetje të dëshmitarëve, duke filluar nga Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës, e për të vazhduar me Flutura Kolën, avokaten e Damir Fazlliç.

Kola njihet edhe si shoqja e vajzës së Kryeministrit dhe as thirrja e saj nuk përjashtohet.

Burime nga akuza kryeqytetase thanë se hetuesit e çështjes janë mbledhur dje pasdite, madje kanë verifikuar edhe provat e marra së fundi.

Në tryezën e punës janë shkresat e marra nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, QKR, si dhe ato të grumbulluara nga Hipoteka dhe Tatim-Taksat. Në dokumente janë të gjitha firmat e dyshuara si në pronësi të Damir Fazliç.

Kërkesë gjykatës

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje pasdite se hetuesit e çështjes kanë nisur verifikimin për dokumentimin e pasurive të biznesmenit serbo-boshnjak, ndërsa kërkesa do të depozitohet në Gjykatën e Tiranës për bllokimin e këtyre firmave.

Bëhet fjalë për verifikimin dhe bllokimin e të gjitha pasurive të paluajtshme në të gjitha zyrat vendore të Regjistrit të Pasurive në Republikën e Shqipërisë, ku janë pronarë të vetëm ose bashkëpronarë shoqëritë: “Crown Acquisitions sh.p.k”, “SRF Development sh.p.k”, “Rompetrol-Albania sh.a”, “Aplha sh.p.k”, “Virtu Acquisitions sh.p.k”, “DF Trade Limited sh.p.k”, “Reno Albania sh.p.k” dhe “Rompetrol Distribution Albania sh.p.k”.

 “Hetimet kanë nxjerrë se Fazlliçi në këto kompani është ortak ose anëtar i grupit mbikëqyrës”, thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, hetuesit i kanë dërguar të gjitha institucioneve verifikimin e çfarëdolloj dokumentacioni që disponojnë, në të cilat ndodhet emri i ndonjërës prej shoqërive, apo të hetuarit Damir Fazlliç.

Llogaritë e bllokuara

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka reaguar dje pas vendimit të dy prokurorëve që po hetojnë për pronat e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç.

“Pas ankesave që ka marrë, rezulton se në ngutje e sipër, prokurorët Besnik Cani dhe Dritan Reshka, kanë urdhëruar edhe bllokimet e llogarive dhe pasurive të bizneseve të tjera, që nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje. Si rezultat është urdhëruar në mënyrë abuzive me vendimin e Prokurorisë së Tiranës, i datës 9 tetor 2008 dhe me numër protokolli 6093, bllokimi i llogarive bankare të kompanisë ‘Global Construction’ sh.a dhe asetet e kompanisë ‘Megatek’ sh.a., duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale dhe morale për to”, thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë.

Ajo i kërkon Prokurorisë së Tiranës të zhbllokojë këtë situatë të cilën ne e konsiderojmë absurde dhe të heqë sa më parë sekuestron për këto dy kompani, pasi me këtë veprim cenohet rëndë klima e biznesit dhe garancia e investitorëve vendas.

“Dhoma e Tregtisë, si institucion përfaqësues i biznesit, i kërkon prokurorëve të punojnë konform ligjeve në fuqi, për raste të ngjashme, kur bizneseve të ndershme u shkaktohen përveç dëmeve materiale edhe një dëm akoma më i madh moral.

Nisur nga ky rast, Dhoma e Tregtisë do të iniciojë një rishikim të bazës ligjore që rregullon këto marrëdhënie për të krijuar një kuadër sa më preciz në këtë drejtim dhe për të evituar përsëritjen e këtyre ngjarjeve në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Dhomës Tregtare.

PS-PD: Si do të ndryshojë Kushtetuta për imunitetin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›