E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, terror banorëve me breshëri kallashnikovi

Një 44-vjeçar ka terrorizuar banorët e një lagjeje në Tiranë, për më shumë se një orë, ndërkohë që policia e ka pasur tejet të vështirë neutralizimin e tij.

 Vetëm pasi i janë mbaruar gjithë fishekët në dispozicion, policia ka mundur të ndërhyjë dhe të çarmatosë Azgan Buçpapajn. Të tmerruar, banorët janë shtrirë barkas nëpër banesat e tyre, nga frika se mos i kapte ndonjë “plumb qorr”.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Kodra e Priftit”, te rruga “Sadik Petrela” nr. 3, ku personi i lartpërmendur, po qëllonte me kallashnikov dhe nuk pranonte të dorëzohej.

Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se, rreth orës 23:05, dy net më parë, janë njoftuar nga banorët se një person kishte dalë me armë automatike dhe qëllonte në drejtime të ndryshme, duke terrorizuar, jo vetëm banorët, por edhe kalimtarët.

Pas njoftimit, për në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e policisë së Komisariatit nr. 4 dhe një grup i gatshëm në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Burimet policore shpjeguan se me të mbërritur në vendin e adresuar nga banorët, kanë zbuluar se i armatosuri quhej Azgan Buçpapaj, 44 vjeç, i cili ishte brenda në banesën e tij prej edhe nga qëllonte pa ndërprerje.

Grupi i punës tha se fillimisht policia ka rrethuar zonën, ndërkohë që nisën negociatat me të armatosurin për vetëdorëzim.

Nga ana tjetër, uniformat blu kanë marrë në pyetje familjarët dhe të njohurit e tij, të cilët kanë deklaruar se ai kishte shkuar në banesë në gjendje të dehur, kishte gjetur një armë dhe kishte nisur të qëllonte në drejtime të ndryshme.

Duke parë situatën, policia ka larguar njerëzit që ndodheshin aty pranë, por nuk kanë mundur të ndërhyjnë. Sipas policisë, kjo situatë ka zgjatur rreth 70 minuta, pikërisht deri në orën 00:15.

Në këtë kohë, grupi i punës ka vënë re se Azgan Buçapapajt i janë mbaruar fishekët. Kështu, oficerët kanë ndërhyrë brenda në banesë dhe e kanë neutralizuar.

Menjëherë, ai është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërkohë që bashkë me të janë shoqëruar edhe disa të afërm të tij. Policia shpjegoi se ai është marrë në pyetje dhe në bazë të deklaratave të tij dhe të familjarëve rezulton se ai ka qenë në gjendje të dehur.

Gjithashtu, në njoftimin zyrtar, policia e kryeqytetit deklaroi se ai ka shfaqur më parë edhe probleme mendore, kështu që ky mund të jetë edhe shkaku, që ka çuar atë drejt këtij akti kriminal, i cili vetëm për fat nuk rezultoi me viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›