E veja e Trebickës, në gjykatë për trashëgiminë
Me një kërkesë-padi civile, e veja e Trebickës kërkon lëshimin e dëshmisë së trashëgimnisë së pronave dhe pasurive të të ndjerit. Në bazë të ligjit, pasuria do të ndahet mes bashkëshortes dhe dy fëmijëve të trashëgimlënësit.
TIRANE- Pa kaluar as dy javë nga humbja e bashkëshortit të saj, biznesmenit Kosta Trebicka që denoncoi trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit, Brunela Krasniqi (Trebicka) ka ngjitur shkallët e Gjykatës së Tiranës. Me një kërkesë-padi civile, e veja e Trebickës kërkon lëshimin e dëshmisë së trashëgimnisë së pronave dhe pasurive të të ndjerit, në emrin e saj dhe të djalit. Në bazë të ligjit, pasuria e Trebickës ndahet në tri pjesë, ku gjysmën e saj e gëzon bashkëshortja Brunela. Pjesa tjetër ndahet në mënyrë të barabartë mes dy fëmijëve të trashëgimlënësit, vajzës që ka nga martesa me gruan e parë dhe djalit, Xhoit, 11-vjeçar, fryt i martesës me Brunelën.
Pasuritë
Brunela Krasniqi, bashkëshortja e Kosta Trebickës, biznesmenit që gjeti vdekjen në rrethana ende të pasqaruara në fshatin Lekas të Korçës, kërkon në gjykatë lëshimin e dëshmisë së trashëgimnisë së pronave dhe pasurive që zotëronte i ndjeri. Padia civile e depozituar nga e veja e Trebickës, në gjykatë mban nr. 12393 dhe është regjistruar më 25 shtator 2008, vetëm 13 ditë pas vdekjes tragjike të Kosta Trebickës. Shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtarin Ilir Mustafaj për të shqyrtuar padinë civile të Brunela Krasniqit. Pasuritë dhe pronat e Trebickës, që u bë personazh mjaft i njohur pas denoncimit të aferave për trafikun e armëve, do të ndahen mes bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve, djalit Xhoit dhe vajzës 18-vjeçare të lindur nga martesa e parë.
Vdekja misterioze
Mesditën e 12 shtatorit të këtij viti, biznesmeni Kosta Trebicka u gjet i vdekur në fshatin Lekas të Korçës, ku kishte shkuar për gjah. Njeriu që denoncoi trafikun e armëve ishte dëmtuar rëndë në kokë dhe makina e tij tip “Nisan Patrol” vazhdonte të ishte e ndezur shumë larg trupit të pajetë të Trebickës, gjë që ngriti dyshimet se nuk bëhej fjalë thjesht për një aksident. Për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes janë kryer hetime intensive, por ende nuk është arritur në një konkluzion. Enkas për rastin Trebicka mbërriti në Shqipëri një ekspert amerikan që kreu kontrollin auto-teknik të makinës. Sipas ekspertit amerikan dhe atyre shqiptarë, Trebicka ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti automobilistik. Në raportet auto- teknike thuhet se në momentin e devijimit ka qenë i pandërgjegjshëm dhe negativisht kanë ndikuar modifikimet që viktima i kishte bërë automjetit të tij. Por pavarësisht konkluzioneve të ekspertëve, prokuroria nuk ka dhënë ende një version zyrtar, nëse Trebicka gjeti vdekjen thjesht në një aksident rrugor, apo është ekzekutuar për shkak se denoncoi trafikun e armëve dhe ishte dëshmitari kyç i tragjedisë së Gërdecit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)