PS-PD: Si do të ndryshojë Kushtetuta për imunitetin

Burimet nga dy forcat politike sqaruan se komunikimet e para janë kryer dhe tanimë pritet që Ilir Rusmali dhe Ylli Bufi të ulen në tryezë për detajet. Mësohet se parimisht është rënë dakord për llojin e ndërhyrjes sa i takon deputetëve.
Pra, ligjvënësit nuk do të kenë më imunitet përballë prokurorisë për çështjet e hetimit. Thënë ndryshe, nëse organi i akuzës fillon hetim ose kërkon dëshminë e një ligjvënësi, ky i fundit është i detyruar të paraqitet si çdo qytetar tjetër.
Burimet sqarojnë se është rënë dakord të ruhen disa principe të garantimit të imunitetit. Kjo do konceptohet në formën e imunitetit mbi personalitetin dhe figurën e deputetit.
Në këtë linjë do të jetë sërish e penguar që të arrestohet një deputet, të përgjohet apo të ushtrohet kontroll ndaj tij pa autorizim të Kuvendit.
Aspekti tjetër, që pritet të diskutohet, ka të bëjë me hapësirën e zbatimit të këtij ligji. Pra, nëse ai do të ketë fuqi edhe për përfaqësues të tjerë të pushtetit, apo vetëm për ligjvënësit. Takimi mes Rusmalit dhe Bufit pritet të zhvillohet ditën e mërkurë. Sanksionimi i këtyre ndryshimeve do të kërkojë gjithashtu ndryshimin e Kushtetutës.
Aktualisht, në nenin 73 të dokumentit themeltar thuhet se deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë.
Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës. Për rastet e parashikuara më sipër, Kuvendi vendos me votim të fshehtë. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
Ai mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.