E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Gërdec", gjykata njofton 30 të pandehur

Plot 11 muaj e pak ditë i
janë dashur Prokurorisë
së Përgjithshme për të
ngritur akuzat e 30 të
pandehurve. Po në këtë periudhë
akuza qendrore vendosi që dosja
"Gërdeci" të shkojë në Gjykatën e
Lartë. Hetuesit e çështjes deklarojnë
se kanë përfunduar hetimet
dhe këto ditë dosja do të dërgohet
në gjykatë, ku në bankën e
të akuzuarve do të ulen jo pak, por
30 persona, ndërsa disa të tjerë do
të njihen me akuzat në gjykatë.
Grupi hetimor pranë Prokurorisë
së Përgjithshme, që po punon në
zbardhjen dhe identifikimin e
përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit,
gjatë kësaj jave pritet t‘u
komunikojnë përfundimin e hetimeve
të pandehurve për këtë
çështje.
Pritet që të pandehurit ose
avokatët e mbrojtjes të njihen me
provat e organit të akuzës para
dërgimit të dosjes. Fillimisht u thirrën
dy gjeneralët, Shpëtim Spahiu
dhe Zija Bahja. Ndërsa në ditët
në vijim, në organin e prokurorisë
do të thirren edhe ish-zyrtarët e
lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe
Shtabit të Përgjithshëm. Lista
kryesohet me ish-shefin e Shtabit
të Përgjithshëm, Luan Hoxha.
Akuza tha se i ka dërguar një
njoftim këtij të pandehuri për përfundimin
e akuzave. Ndërsa të
njëjtin "fat" duket se do të ketë
edhe ish-ministri i Mbrojtjes,
Famir Mediu. Prokuroria tha se
pritet t‘i dërgojë një fletë-thirrje
për komunikim aktesh. Më pas të
gjithë personat e pandehur do të
njihen me dosjet përkatëse.
Prokuroria deklaroi se nëse të
pandehurit nuk vijnë në prokurori,
kërkesa për gjykim do t‘u dërgohet
me postë. Gjithsesi, nga hetimet e
deritanishme ka rezultuar se me
veprimet dhe mosveprimet e tyre,
rreth 30 persona kanë konsumuar
elementë të ndryshëm të veprave
penale, si "shpërdorim detyre"; "shkelje
të rregullave të sigurisë në
punë"; "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve
në tenderë apo ankande
publike"; "shpërdorimit, shkatërrimit
ose dëmtimit të pasurisë ushtarake".
Të gjitha këto në bashkëpunim,
duke u bazuar në Kodin
Penal, Civil dhe Ushtarak.
Në të njëjtën kohë, hetuesit e
çështjes po verifikojnë dëshmitë e
personave të marrë të pandehur
dhe aktet procedurale i janë bashkuar
dosjes hetimore. Ndërkohë,
komunikimi i përfundimit të
akuzave për tre të pandehurit që
ndodhen në qelitë e paraburgimit,
shtetasit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji
e Dritan Minxholli, do të bëhet nga
oficerët e policisë gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›