Rama: Do dyfishojmë buxhetin për fshatin
Edi Rama u ndal dje në qytetin e Gramshit, në kuadër të takimit me "Vullnetarët e Bashkimit të ri për ndryshimin". Në fjalën e tij, Rama u përqendrua te trajtimi i barabartë i shtetasve, jo thjesht dhe vetëm para ligjit, por mbi të gjitha para mundësive për punësim dhe mirëqenie, qofshin ata në veri apo në jug. "Qeveria e fitores së 28 qershorit do të bëjë më shumë se të gjitha qeveritë e këtyre 18 viteve të marra së bashku, për të garantuar ushqimin normal të familjeve shqiptare", u shpreh Rama. Sipas tij, qeverisja e ardhshme s‘do ta lerë fshatin shqiptar jashtë horizontit të vëmendjes së Parlamentit dhe jashtë listës së punëve të qeverisë, por do ta bëjmë kryefjalë të punës sonë. Teksa vuri theksin te rimëkëmbja e fshatit, si një ndër mundësitë për të siguruar çmime të përballueshme në qytet, dhe mirëqenie në fshat, kreu i PS-së bëri premtimin për dyfishim të buxhetit që shkon në mbështetje të fshatit. "Në katër vitet e ardhshme ne do të dyfishojmë buxhetin dhe shumëfishojmë forcat për zhvillimin e fshatit, për rimëkëmbjen e bujqësisë e blegtorisë, për rindërtimin e rrugëve që zhvillojnë ekonominë rurale, për përmirësimin rrënjësor të shërbimit arsimor e shëndetësor në zonat rurale", u shpreh Rama.