Meta: Të rinjtë do të përfaqësohen në Kuvend
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim mjaft entuziast me 400 anëtarë të rinj në qytetin e Elbasanit. Ish-kryeministri deklaroi para të pranishmëve se LSI është e vetmja forcë politike gjatë këtyre dy dekadave, e cila u ul për dy vjet me radhë dhe diskutoi me Sindikatën e Pensionistëve. "E vetmja forcë politike që në 20 vjet tranzicion paraqiti një projektligj realisht të standardeve evropiane për kujdesin ndaj pensionistëve dhe gjithë moshës së tretë në vendin tonë", u shpreh Meta. Vetëm pak ditë më parë, vijoi ai, LSI nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Presidentin e Sindikatës së Pensionistëve, Isa Goricën, duke u angazhuar që në programin e qeverisë të 29 qershorit, do të jetë realizimi i detyrimeve të shoqërisë sonë. "Ne duam një Shqipëri që ndërtohet e ecën në bazë të mirënjohjes ndaj gjeneratave që kanë punuar më shumë", theksoi Meta. Duke ju drejtuar të rinjve elbasanas, ai tha se ata janë shpirti i kësaj force politike, janë zemra e LSI-së, janë forca e saj, janë e sotmja dhe e nesërmja. Ne të rinjtë do t‘i përfaqësojmë që nga Parlamenti i ri i 28 qershorit, garantoi ai, dhe në të gjithë qeverisjen e vendit, duke ofruar shanse dhe mundësi për të rinjtë më të talentuar e duke pasur një program të plotë dhe konkret për rininë.