Dosja Gërdeci, 400 dëshmitarë në gjyq pas seancës së 4 majit
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme zgjeroi listën e dëshmitarëve të thirrur në procesin gjyqësor që pritet të fillojë më 4 maj 2009 kundër 29 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare të akuzës, mësohet se rreth 400 dëshmitarë janë kërkuar të paraqitën në seancat, që do të zhvillohen në Gjykatën e Lartë me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 15 mars 2008 si dhe shkaqet që sollën tragjedinë e rëndë. Pas hetimeve 1-vjeçare të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se është hartuar edhe lista me rreth 400 emrat e dëshmitarëve të prokurorisë, të cilët do të thirren për t’u paraqitur në gjyq dhe për të treguar episode të shkeljeve të kryera nga zyrtarët, si dhe abuzimet që sollën ngjarjen e rëndë të një viti më parë në Gërdec. Në listën e dëshmitarëve mësohet se janë përfshirë persona të dëmtuar nga ngjarja e rëndë, punonjës të ushtrisë, Shtabit të Përgjithshëm, Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes MEICO dhe banorë të zonës së Gërdecit. Më shumë se 200 persona të plagosur kanë dhënë deklarimet e tyre edhe gjatë hetimeve paraprake, ndërsa janë marrë në pyetje edhe familjarët e 26 të vdekurve. Ata kanë treguar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja e rëndë, ndërsa Prokuroria tha se rrëfimet e këtyre personave do të paraqiten në gjykim. Organi i akuzës tha se punonjësit e ndërmarrjes MEICO janë thirrur dëshmitarë, me qëllim që të tregojnë para gjykatës rrethanat në të cilat kryhej demontimi i municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec, ku sipas akuzës, janë shkelur të gjitha rregullat e sigurisë për trajtimin e lëndëve ushtarake. Prokuroria e Përgjithshme tha se lista e dëshmitarëve është duke përfunduar dhe se ajo do të dorëzohet në Gjykatën e Lartë, me qëllim që menjëherë pas seancës së parë të procesit, që pritet të mbahet më 4 maj, të fillojë thirrja e personave me dijeni për ngjarjen dhe marrja e tyre në pyetje para trupit gjykues. Dhënia e deklarimeve nga dëshmitarët në prani të zyrtarëve të pandehur për tragjedinë e Gërdecit, pritet të sjellë debate mes palëve dhe Prokuroria nuk përjashton mundësinë e daljes së fakteve të reja gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Katër persona akuzohen për vrasje masive dhe shkatërrim prone në rastin e tragjedisë së Gërdecit, ndërsa 28 të tjerë dhe kompania “Albademil” si person juridik akuzohen për “shpërdorim detyre” në këtë ngjarje. tr.so