Gjykata:Supergrabitësi 12-vjeçar në shkollë riedukimi
TIRANE – Një vendim i Gjykatës së Tiranës i shpalli babë e bir fajtorë për vjedhje, por ndërsa babai do të vuajë 6 muaj burg, të birit duket se “nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë”. Kjo sepse i mituri 12-vjeçar duhet të mbyllet në një shkollë riedukimi, në një kohë që në Shqipëri nuk ekziston një e tillë që prej 17 vjetësh. Bëhet fjalë për verdiktin e dhënë dje në Gjykatën e kryeqytetit në procesin gjyqësor në ngarkim të kleptomanit të mitur Markelian C. dhe babait të tij. I mituri i kthyer në një “super-hajdut” dhe “tmerr” i shumë personave në kryeqytet, për shkak të numrit të madh të vjedhjeve të kryera prej tij nuk ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit. Pranë avokates Vjollca Pustina, prej së cilës ai përfaqësohej në gjyq ka qenë i ulur i pandehuri tjetër i këtij procesi, Petrit C., babai i Markelianit. Sipas prokurorisë i mituri akuzohej për veprën penale te “vjedhjes”, ndërsa babai i tij për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Përfshirja e babait në “punët e prapa” të djalit të tij lidhej me vjedhjen e një automjeti “Benz” prej Markelianit në 3 tetor të vitit të kaluar. Pas paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga pala mbrojtëse, ku u kërkua pafajësi për dy të pandehurit gjykata e shpalli të mbyllur gjykimin. Sipas kryesuesit të seancës, gjyqtarit Arben Micko, gjykata pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve vendosi të shpallte fajtorë për akuzat e ngritura ndaj tyre për të dy të pandehurit. Sipas vendimit të togave të zeza Petrit C., duhet të vuajë 6 muaj heqje lirie kurse djali i tij Markelian C., duhet të mbyllet në një shkollë riedukimi. Në vendimet e dhëna gjykata ka pasur parasysh faktin që për të pandehurit ishte aplikuar gjykimi me kohë të shkurtuar. Të njëjtën masë dënimi për dy të pandehurit ka kërkuar edhe prokuroria në seancën e dy ditëve më parë. Por, duket se Markeliani do t’ia “hedhë paq” dënimit pasi në Shqipëri nuk ekziston një institucion riedukimi për të miturit. Nëse në të tjera raste ishte mosha e mitura ajo që e shpëtonte nga prangat Markelianin, kësaj here është mungesa e një institucioni që pengon ekzekutimin e dënimit të tij. Markelian C., që prej 3 vjetësh ka kryer më shumë se 400 vjedhje të ndryshme në kryeqytet, të dokumentuara nga policia, ndërsa është i dyshuari kryesor për shumë të tjera. ar.ba