Ekstradohet nga Italia “Buzëderri”, anëtar i bandës së Gazmend Brrakës
TIRANE - Me një dëmin çerek shekulli të dhënë nga Gjykata e Vlorës dhe me një pretencë për burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda, anëtar i bandës së Gaxhait, është sjellë dje në pranga nga Italia në Aeroportin e Rinasit. Sokol Sinomati, i njohur me nofkën “Buzëderri”, tashmë 29 vjeç, anëtar i një nga bandave më famëkeqe të vitit 1997, është ekstraduar dje nga kryeqyteti italian, ku mbahej i arrestuar prej 5 vitesh me kërkesë të Interpolit shqiptar. Transferimi i tij është bërë me qëllim përballjen me drejtësinë, që kërkon burgim të përjetshëm për 6 akuza të ngritura ndaj tij në bashkëpunim, por edhe për vuajtjen e dënimit prej 25 vitesh burg të dhënë për të në mungesë. Rreth një muaj më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm për Gazmend Brrakën i njohur ndryshe si “Gaxhai”, ndërsa të njëjtë masë dënimi kërkoi edhe për 4 pjesëtarët e grupit të tij Armando Sulejmani, Sokol Sinomatin, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiun. Të pandehurit akuzohen për kryerjen e disa lloje krimesh gjatë trazirave të vitit 1997 në Vlorë. Gjatë leximit të pretencës së prokurorisë, kjo e fundit përmendi si të tilla 5 vrasje, si dhe vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të një polici dhe vjedhjes me dhunë. Gazmend Brrakaj, i njohur si “Gaxhai” dhe grupi i tij akuzohen për një sërë episodesh të rënda kriminale, ndër to disa vrasje të ndodhura në vitin 1997 në Vlorë. Ndërkohë Sinomati është dënuar me 25 vjet burg në Vlorë, pasi në bashkëpunim me Armando Sulejmanin kanë vrarë me armë zjarri më 26 qershor të vitit 2002, Elton Taton. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Elton Tatos dhe Robert Borakut, duke vrarë njërin prej personave dhe duke plagosur të dëmtuarin tjetër. Sipas policisë Robert Boraku, ka mundur të shpëtojë në rrethana të paqarta. Para se të ndodhte ngjarja sipas hetimeve Sinomati, Sulejmani dhe Robert Boraku, janë njohur si anëtarë të së njëjtës bandë, që kryesohej nga Alfred Nebiu dhe Gazmend Brraka. Tashmë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet vendimi për bandën e Gaxhait për akuzat e “Krijimit të bandave dhe organizatave kriminale”, “Kryerjes së krimeve nëpërmjet organizatave dhe bandave kriminale”, “Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta”, “Armëmbajtjes pa leje”, “Vrasjes me paramendim”, si dhe “vjedhjes me dhunë”, vepra këto të kryera në vitin 1997. Ata akuzohen për vrasjen e Sadik Kurtit, Avdul Bajrami, Arben Latifit, Gjergji Cukallës, Zyni Harunit dhe policit Viron Rrapaj.