E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, Ina Rama: Rihapni dosjet e ‘97

 

JONUZ HALLAÇI/ KUKES

Kryeprokurorja Ina Rama zhvilloi dje një vizitë në qytetin e Bajram Currit në analizën vjetore të punës së Prokurorisë lokale për vitin 2008. E shoqëruar nga stafi i ngushtë i saj, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka “thyer tabunë” duke qëndruar për disa orë gjatë ditës së djeshme në qytetin verior të vendit, ku prej më shumë se një dekade nuk kishte shkelur asnjë nga kryeprokurorët paraardhës të saj. Bashkë me Ina Ramën, gjatë qëndrimit të saj në Tropojë kanë qenë edhe drejtori i Hetimit dhe Ndjekjes Penale Sokol Stojani si dhe drejtori i Personelit Arben Dollapi. Pasi ka marrë pjesë në analizën e punës së Prokurorisë së Rrethit, për vitin që shkoi, prokurorja e Përgjithshme ka qëndruar për disa orë në Tropojë, duke drekuar me stafin dhe me drejtuesit lokalë të organit të akuzës. Qëndrimi i kryeprokurores në qytetin e vogël bashkë me zyrtarët e tjerë të organit të akuzës nuk ka mbetur pa rënë në sy të banorëve të Tropojës. Disa prej tyre mësohet se kanë shprehur vlerësime në kontaktet verbale, duke iu drejtuar kryeprokurores dhe stafit të saj me fjalët: “Faleminderit që keni ardhur!”. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme konstatuan se vizita në qytetin verior ishte një aktivitet i parashikuar i kryeprokurores Ina Rama, e cila nga afër ka konstatuar situatën e qetë dhe rezultatet në rritje të Prokurorisë lokale.
Ina Rama në Tropojë
Prej dy ditësh kryeprokurorja është zhvendosur në veri të vendit, duke marrë pjesë në analizat e Prokurorisë së Pukës dhe Kukësit. Pasi ka shqyrtuar punën e bërë nga këto prokurori gjatë vitit 2008, prokurorja e Përgjithshme dhe stafi i saj janë nisur dje që në mëngjes në drejtim të Tropojës, ku kanë arritur në orët e para të ditës pas një udhëtimi rreth katër orë nga Kukësi. Me të mbërritur në qytetin e Bajram Currit, prokurorja e Përgjithshme është drejtuar për në Prokurorinë e Rrethit ku titullari i këtij institucioni, në analizën vjetore ka raportuar për punën e bërë gjatë vitit 2008. Analiza ka vazhduar për disa orë me trajtimin e problematikës me të cilën përballet prokuroria lokale. Më pas, drejtuesit e Prokurorisë së Tropojës kanë shoqëruar kryeprokuroren dhe stafin e saj në një shëtitje të shkurtër në bulevardin e qytetit e më pas kanë drekuar në qendër të Bajram Currit. Gjatë lëvizjes në qytet mësohet se prokurorja e Përgjithshme është përshëndetur nga banorët e Tropojës, disa prej të cilëve e kanë falënderuar për vizitën. Shefja e organit qendror të akuzës më pas ka qëndruar në një nga baret e qytetit për një kafe-pune dhe më pas është nisur në kthim në drejtim të Tiranës. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se Ina Rama ka dhënë mbështetje me dy ekspertët e kërkuar për Prokurorinë e Tropojës, si dhe ka theksuar nevojën për rihapjen e dosjeve të vrasjeve e krimeve të pazbardhura, që lidhen me ngjarjet e viteve 1997-2002.             

Analiza: Ka rënie të krimit, 90 vrasje të vjetra pa autorë 

Prokuroria e Tropojës kërkon mjekë ligjorë dhe luftë kundër trafikut

TIRANE – Trafikimi i mjeteve motorike nga Kosova në zonën kufitare me Shqipërinë në Tropojë duket se është një nga problemet kryesore në qytetin verior. Prokuroria e Tropojës gjatë analizës së djeshme ka theksuar se i nevojitet një ekspert, që të ndihmojë hetimin dhe zbulimin e rasteve të trafikimit të automjeteve që hyjnë nga Kosova. Një tjetër kërkesë e Prokurorisë së Tropojës ishte edhe aktivizimi i një mjeku-ligjor, me qëllim që ai të asistojë hetimet e prokurorisë në rastet e krimeve kundër personit, me qëllim dokumentimin e pasojave dhe zbulimin e mekanizmit të ngjarjeve. Kryeprokurorja Ina Rama ka siguruar Prokurorinë lokale për mbështetjen e saj maksimale, duke pohuar se ekspertët e kërkuar do të jenë brenda pak kohësh në detyrë për të ndihmuar akuzën lokale në hetimin e krimeve. Kryeprokurori i Tropojës Dritan Prençi tha se treguesit e punës për vitin 2008 janë vlerësuar pozitivë në drejtim të rënies së ndjeshme të numrit të krimeve në përgjithësi dhe veçanërisht të zvogëlimit të krimeve kundër jetës. Drejtuesi i Prokurorisë së Tropojës, tha për gazetën “Panorama”, se gjatë analizës së djeshme është kërkuar në mënyrë të theksuar rihetimi dhe zbardhja e ngjarjeve të vjetra ende të pazbuluara në qytetin verior. Edhe zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme pohuan se analiza tregoi rezultate të mira të Prokurorisë së Tropojës, duke theksuar bashkëpunimin e lartë me shërbimet e policisë në këtë qytet. Në analizën e djeshme mësohet se Kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar që rezultatet e mira të çohen me tej, duke inkurajuar punën për hetimin e krimeve të çdo lloji. Rënia e shtetit në vitin 1997 dhe ngjarjet e rënda, që ndodhen më pas duket se janë një vështirësi serioze në rihetimin e ngjarjeve të vjetra, por në analizën e djeshme është kërkuar kapërcimi i këtyre vështirësive. Në objektin e analizës së djeshme kanë qenë më shumë se 90 vrasje ende të pa zbardhura në qytetin e Tropojës, të cilat presin të hetohen nga prokuroria.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›