E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Investime vetëm atje ku drejton PD

 

KORÇE - Këshilli i Qarkut të Korçës bën publike listën e financimeve për investimet që do të kryhen gjatë vitit 2009. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, janë përzgjedhur projektet më cilësore në funksion të zgjidhjes së shqetësimeve të komuniteteve. Por mënyra se si është shpërndarë fondi prej 225 milion lekë në investime ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të degës së PS-së dhe të aleatëve të saj. Kryetari i saj Ilir Pendavinji, doli dje në një konferencë shtypi, ku nënvizoi faktin se 95 për qind e investimeve të Këshillit të Qarkut do të kryhen në komunat dhe bashkitë ku drejton PD-ja, ndërsa vetëm 5 për qind në ato që drejton PS-ja dhe aleatët e saj. “Ne nxitëm dhe mbështetëm me specialistë të kualifikuar drejtuesit e qeverisjes vendore, që na përfaqësojnë që të krijonin projekte cilësore, në zgjidhje të shqetësimeve kryesore të komunitetit, ku ata drejtojnë dhe projektet u paraqitën në kohën e duhur. Për fat të keq Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme nuk kanë marrë parasysh asnjë nga projektet e paraqitur nga njësitë vendore, ku drejtojnë përfaqësuesit e PS-së dhe të aleatëve tanë. Kjo tregon se miratimi i projekteve nga grandet e qeverisë Berisha nuk është gjë tjetër veçse një financim elektoral”, u shpreh Pendavinji. Edhe pse kanë kaluar tre muajt e parë të vitit, sipas Pendavinjit, nga shuma totale prej 225 milionë lekë të parashikuara për investimet e këtij viti, janë lëvruar vetëm 63 milionë lekë. j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›