Spahiu: Do ndëshkohen gjyqtarët që favorizuan Delijorgjin
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjyqtarët që favorizuan Mihal Delijorgjin do t’i dërgohen ministrit të Drejtësisë për masa ndëshkuese. Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu deklaroi dje për mediat se për pak ditë do të jetë gati raporti në të cilin do të përfshihen emrat e gjyqtarëve që favorizuan biznesmenin. Spahiu ka sqaruar se inspektorët e KLD-së po verifikojnë dhe mënyrat se ka regjistrua firmën “Alb Demil”, Delijorgji në gjykatë. Procedurat që janë ndjekur dhe përgjegjësitë e gjithsecilit.
A është gati raporti për çështjet mbi Delijorgjin?
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përcjell me shqetësim shumë të madh çështjen tashmë të ashtuquajtur “Delijogji”, për shkak sepse persona të cilët kanë ndërtuar informalitetin, aktivitetin e paligjshëm dhe çdo veprimtari tjetër në kundërshtim me ligjin, shpesh herë kanë mundur të fitojnë imunitetin e tyre, për shkak të inefiçencës së punës së prokurorisë dhe gjyqësorit. Për këtë arsye, inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë duke verifikuar, inspektuar dhe hetuar me thellësi, të gjitha vendimet, aktet procedurale dhe materiale të cilat kanë çuar në pafajësinë apo mbulimin e aktiviteteve te paligjshme të kompanisë së drejtuar nga Delijorgji. Ajo çka mund të themi për momentin, pasi raporti i detajuar dhe i hollësishëm i inspektorëve të KLD -së ende nuk ka mbaruar, është e konstatuar në mënyrë flagrante, pushimi i çështjeve të një sërë veprash penale të kryera më parë, dhe nga inspektorët këto ditë do të përgatitet raporti me qëllim që çdo individë apo gjyqtarë i përfshirë në këto çështje t’i relatohet Ministrisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’i ndëshkuar si pasojë e masave apo veprimeve që ata kanë kryer. Besoj se në këtë çështje implikimi është shumë i gjerë, është një histori e gjatë, e kaluar në disa shkallë, duke filluar nga veprimet e prokurorëve deri në gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit, gjyqtarët ushtarak, ndonëse çështja është për gjykim në Gjykatën e Lartë. Pra teknikisht, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një pengesë procedurale, sepse çështja në fjalë nuk konsiderohet e përfunduar.
Po përsa i përket për çështjen e regjistrimit në gjykatë të firmës “Alb-Demil”, a është kjo një nga pikat e inspektimit?
Po, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, po kryen hetime dhe inspektime përsa i përket licencimit dhe regjistrimit të kësaj kompanie. Aktualisht po hetohet në dy pista, fillimisht nëse aktiviteti ka qenë i mbështetur dhe i licencuar brenda kuadrit ligjor dhe brenda normave të miratuara në atë periudhë kohe. Dhe pista e dytë, është se nëse kemi të bëjmë me një objekt veprimtarie të përcaktuar qartë, apo kompania ka pasur një aktivitet të kufizuar dhe tregtinë e armëve e ka realizuar përtej kompetencave dhe objektit të veprimtarisë të parashikuar nga gjykata. Pra siç ju thash dhe më sipër, janë dy pistat e inspektimit kjo çështje.
Cilat janë pengesat procedurale që përmendët pak më sipër?
Gjykata Kushtetuese në interpretimet e veta për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i ka kufizuar kontrollet dhe masat Këshillit të Lartë të Drejtësisë për çështje të cilat janë në gjykim. Pra mund të ndodheshim përball një fakti që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të shkarkonte të gjithë gjyqtarët të cilët i dhanë pafajësi Delijorgjit dhe legjitimuan këtë aktivitet, dhe nga ana tjetër të kishim një vendim të Gjykatës së Lartë e cila në mënyrë hipotetike mund të linte në fuqi këtë vendim. Për të mos pasur përplasje institucionale duhen respektuar disa faza procedurale më pas për të vepruar. Gjithsesi, kjo nuk e pengon Këshillin e Lartë të Drejtësisë të vazhdojë inspektimin dhe në momentin që Gjykata e Lartë do të shprehet për këtë çështje të propozojë masat konkrete ndaj gjyqtarëve.
4 Prill 2008