Prokuroria "lehtëson" anëtarët e bandës "Kanun"
Prokuroria e Durrësit ka kërkuar 68 vite heqje lirie për anëtarët e grupit kriminal "Kanun". E ndërsa në gjykimin e parë ishte dhënë dënimi me 125 vjet burg për pesë të akuzuarit, rigjykimi i çështjes ka çuar në një ulje të kërkesës për dënim nga organi i akuzës me 57 vite më pak. Ndërkohë do të jetë trupi gjykues i kryesuar nga Faslli Ceka, që do të japë dënimin për secilin nga 5 anëtarët e bandës "Kanun", e cila po rigjykohet në shkallën e parë të Gjyqësorit të Durrësit për krijim organizate kriminale, shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, falsifikim dokumentacioni dhe krime të kryera në bashkëpunim në organizatën kriminale. Apeli e ktheu për rigjykim këtë çështje pas konstatimit të shkeljeve procedurale dhe prej 2 vjetësh ajo ndodhet në gjykatën e faktit për t‘u rishqyrtuar dënimi i dhënë. Ditën e djeshme, prokurorët Flora Reka dhe Tofik Haxhia paraqitën pretencën para trupit gjykues dhe mbrojtjes. Në përfundim të saj ata kërkuan 20 vjet heqje lirie për Arben Plakun, që në fillim u dënua me 25 vjet, si dhe 12 vjet për secilin nga 4 anëtarët e tjerë Arjan Kapa, Rudin Çalliku dhe kushërinjtë Leonard e Agim Kolgjini, të cilët ishin dënuar me nga 25 vjet. Arrestimet e anëtarëve të "Kanun" në Durrës erdhën pas denoncimit në Itali nga motrat Miradie dhe Suzana Vuthi, të cilat akuzuan një numër të madh bashkatdhetarësh për shfrytëzim prostitucioni dhe krime të tjera në shtetin fqinj. Operacioni i policisë së Durrësit çoi në pranga Arben Plakun, Arjan Kapan, Rudin Çallikun dhe Leonard Kolgjinin, pas dënimit të tyre në mungesë nga Gjykata e Durrësit, ndërkohë anëtari i pestë i saj, Agim Kolgjini, u dënua dhe vazhdon të rigjykohet në mungesë. Arjan Kapës, i konsideruar si një nga kapot kryesorë të "Kanun", i është sekuestruar në plazhin e Durrësit bar-restorant-hoteli 5-katësh "Internacional", si dhe disa troje, ndërsa Plakut një apartament 1+1. Mbrojtja pritet të kundërshtojë kërkesën e akuzës dhe veçanërisht avokatja e Agim Kolgjinit, që gjykohet në mungesë. Sipas saj, ai është dënuar njëherë në Xhenova të Italisë me 6 vjet heqje lirie në vitin 2005 dhe nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën vepër. Gjyqi i bandës vazhdon prej vitesh dhe ndaj të pestëve kanë rënë disa prej akuzave, si ato të rrëmbimit të personit dhe trafikimit të armëve dhe lëndëve narkotike.