E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Gërdeci", për të tretën herë sot në short

SHORTI


TIRANË- Dosja penale me 28 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, e cila prej një javësh ka ardhur në kryesekretarin e Gjykatës së Shkallës së Parë, kjo e fundit sot për të tretën herë e hedh dosjen në short elektronik për të caktuar anëtarin e tretë të trupës gjykuese që do të drejtohet nga gjyqtari Ridvan Hado.


Shkak për këtë përsëritje të shortit është bërë përcaktimi i treshes gjykuese, të kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado dhe anëtarët Shefkije Demiraj e Fehmi Petku.


Por, ky i fundit, pesë ditë më parë, është dekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në kryeqytet.


Kalimi i tij tek kjo gjykatë, ka bërë që emri i tij të fshihet nga lista e gjyqtarëve penalë të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe caktimin e një gjyqtari tjetër që do t'i bashkohet gjyqtarëve Hado e Demiraj që do të shqyrtojnë çështjen. Tre ditë më parë, pas hedhjes së shortit, dosja me 28 të pandehurit i ra për gjykim tre gjyqtarëve, Sokol Tona, Martin Deda dhe kryesuesit Kreshnik Omari.


Por, ky i fundit paraqiti dorëheqjen që u pranua nga kryetari i Gjykatës së komanduar Ablert Meçe, për shkak se bashkëshortja e tij punonte në një zyrë ligjore si avokate që mbron interesat e njërit prej të pandehurve të kësaj dosjeje.


Gjithashtu, dje gjyqtari Fehmi Petku dorëzoi dosjen penale me paditës ish-ministrin e Mbrojtjes të pandehurin Fatmir Mediu kundër Prokurorisë së Tiranës, të cilët pak ditë më parë vendosën mos fillimin e hetimeve për kallëzimin ndaj kryeprokurores Ina Rama, për "nxjerrje sekreti".


Kjo dosje, tashmë do të rilidhet në short ku do të caktohet gjyqtari tjetër që do të shqyrtoj këtë kërkesë padi të njërit nga të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, i cili po gjykohet pranë Gjykatës së Lartë për shpërthimin e 15 marsit 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan dhe plagosen.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›