E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëria, zhduket nëna me 6 fëmijët

LIBRAZHD/ Bashkëshorti i 31-vjeçares ka denoncuar largimin e saj nga shtëpia, duke druajtur jetën e pasardhësve të tij


LIBRAZHD - Një grua 31-vjeçare me 6 fëmijë të vegjël është larguar nga shtëpia në 16 qershor rreth orës 17:00 dhe nuk është kthyer më.


Kërkimet kanë filluar nga familjarët dhe madje babai dhe i vëllai i gruas kanë shëtitur kufijtë, por asgjë nuk është mësuar mbi fatin e saj dhe të fëmijëve. Bashkëshorti i saj ka vendosur të denoncojë në polici për largimin nga frika se mund t'iu ndodhë gjë fëmijëve.


Ngjarja është regjistruar në fshatin e minierave, Katjel, të komunës Rrajcë afër Përrenjasit kur Bukuroshe Kaja, 31 vjeçe, e lindur në fshatin Laktesh, ka vendosur të braktisë shtëpinë ku jetonte duke marrë me vete të gjashtë fëmijët.


Bashkëshorti i saj, Agroni, 38 vjeç, pasi ka kërkuar tek të afërmit dhe ka kontaktuar me familjen e gruas, nuk e ka gjetur dhe kështu i është drejtuar policisë. Familja Kaja jeton në varfëri ekstreme, me shtëpi të shkatërruar dhe pa asnjë të ardhur. Kjo varfëri duket se ka qenë edhe shkaku i largimit të gruas me 6 fëmijët, ku më i madhi është 10 vjeç, ndërsa më i vogli 3 muajsh.


Ende nuk ka asnjë dëshmi për gruan që vuante mjaft problemet e familjes. Nga dëshmia e vjehrrit të saj, Halimit, ajo nuk ka thënë asgjë, por vetëm është larguar duke i marrë edhe fëmijët. Ai thotë se frika se mos iu ndodh gjë fëmijëve i ka bërë t'i drejtohen policisë.


Në shtëpinë e familjes Kaja gjendja e kalon ekstremin, pasi është totalisht e amortizuar dhe pa asnjë shenjë të orendive dhe të elektroshtëpiakeve bashkëkohore. Sipas familjarëve, problemet ekonomike i kanë shkatërruar si njerëz, pasi nuk kanë asnjë mundësi punësimi apo ndihme.


Në këtë fshat që dikur jetonte me minierat, tashmë nuk ka asnjë formë për të siguruar të ardhura veç emigracionit. Numri i madh i fëmijëve, problemet dhe vështirësitë dyshohet se e kanë shtyrë gruan të largohet. E vjehrra e gruas thotë se në familje nuk ka pasur asnjë grindje veç kushteve të këqija që shihen.


Ajo vijon se nuk di ndonjë arsye pse nusja i është larguar nga shtëpia, por mendon se e ka bërë kjo varfëri në të cilën jetojnë. Policia në bashkëpunim me familjarët kanë nisur kërkimet në kufirin me Maqedoninë, në fshatin e lindjes, por edhe në rrugën nacionale, por ende nuk ka asnjë lajm për gruan dhe fëmijët e saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›