E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, pistat drejtohen tek e kaluara

Policia: Viktima ishte skeduar për tendencat e trafikut të drogës makinave dhe lëndëve plasëse

SHKODËR- Atentati ndaj Aleks Kekës është kryer me një sasi prej rreth gjysmë kilogrami eksploziv të fortë, i cili ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme të viktimës. Ai ishte vendosur poshtë sedilies së drejtuesit dhe është shpërthyer me anë të një telekomande nga një distancë e konsiderueshme.


Ky është konkluzioni që ka arritur grupi hetimor i policisë, i cili përbëhet nga krerët më të lartë të uniformave blu. Hetuesit kanë nxjerrë edhe pistat e para hetimore duke u fokusuar tek e shkuara e viktimës.


Dje në mesditë, në një deklaratë zyrtare, policia e lidhi krimin ndaj Kekës, me të kaluarën e tij, që sipas policisë ka qenë e lidhur me trafikun e drogës, mjeteve motorike, si dhe të lëndëve plasëse dhe minave me telekomandë.


Për këtë shkak, sipas qëndrimit zyrtar të Policisë, dyshimet kryesore të hetuesve mbi zbardhjen e ngjarjes lidhen me këto pista.


Policia në deklaratën e saj ka akuzuar viktimën për një sërë krimesh por nuk ka dhënë asnjë shpjegim përse ajo nuk e ka arrestuar meqenëse ai ishte një person i tillë. Keka ishte edhe anëtar i Këshillit të Qarkut të Shkodrës por policia është kujtuar vetëm dje që ta akuzojë.


Burimet e policisë pohuan se po verifikojnë edhe pista të tjera që lidhen me aktivitetin politik të tij, gjatë kësaj kohe. Gjithsesi për hetuesit e policisë lokale dhe drejtuesit e lartë të Policisë kjo pistë duket se është pak e mundshme.


Pas ngjarjes hetuesit e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, kanë shoqëruar në ambientet e saj, më tepër se 15 persona të cilët, janë marrë në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi rrethana hetimit, për të dhënë informacione të dobishme për hetimin.


Këta të fundit kanë treguar mbi rrethanat e ngjarjes dhe momentin e shpërthimit. Ndërkaq oficerët e hetimit të vrasjeve kanë mësuar se viktima pak kohë përpara ngjarjes ka qenë i ulur në një kafe me një mikun e tij në një lokal në afërsi të Malësisë së Madhe.


Gjatë kësaj kohe mjeti ndodhej në parkingun e lokalit. Pas kafes, Keka ka hipur në makinë dhe është nisur në drejtim të qytetit të Shkodrës ku kishte lënë një takim me kreun e PDK-së Ndoka.

---------------------------------------------------------------------------------------------------


Ekspertët:
"Vdekja nga dëmtimi i trupit me eksploziv"


Ekspertët mjeko- ligjorë, ekspertë kriminalistë, si dhe specialistët e hetimit, të cilët kanë kryer këqyrjen e trupit të viktimës në vendin e ngjarjes si dhe autopsinë në morgun e spitalit rajonal të qytetit të Shkodrës kanë qenë të të njëjtit mendim, kur kanë konstatuar dëmtime të rënda në pjesën e poshtme të trupit të tij.


Burimet kanë konfirmuar se viktima ka pësuar plagë të rënda në pjesën e poshtme të trupit, që kanë qenë të dëmtuar thuajse krejtësisht, nga shpërthimi. Kjo pasi lënda plasëse ka qenë e vënë në pjesën e poshtme të shasisë së mjetit në krahun e drejtuesit të mjetit. Pikërisht në këtë pjesë ekspertët kanë vërejtur edhe një çarje të madhe, që i përket vendit ku ka shpërthyer eksplozivi.


Sipas ekspertëve, pjesët e poshtme të trupit të viktimës, si gjymtyrët etj, kanë qenë të shpërndara. Ndërkaq, pjesa e sipërme duke nisur që në mes ka pasur djegie të konsiderueshme.


Nga kjo këqyrje e kryer nga ekspertët, për ta nuk ka pasur dyshime se vdekja e biznesmenit koplikas dhe kreu i PDK-së lokale ka ardhur nga shpërthimi i fuqishëm i ndodhur në mjetin me të cilin ai udhëtonte nga Kopliku për në qytetin e Shkodrës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›