Ekstradohet nga Italia atentatori i Kasandër Nogës
Geron Hasbelli kërkohej për vrasjen e Julian Çelës, krim i ndodhur në Belgjikë në 2002, ku Noga mbeti i plagosur
Personi i ekstraduar, tentoi të hakmerrej ndaj ish- studentit të policisë për masakrën e Sanatoriumit
TIRANË - Ekstradohet nga Italia, atentatori i Kasandër Nogës në Belgjikë, i akuzuar për krimin e vrasjes dhe plagosjen e Nogës, ndodhur shtatë vite të shkura.
Geron Hasabelli, 35 vjeç, nga Fieri është ekstraduar dje rreth orës 11:00 nga Interpol Tirana, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, si i dyshuari për vrasjen e Julian Çelës, dhe plagosjen e Kasandër Nogës, pasi dyshonin se ky i fundit kishte vrarë babain e Hasabellit, në gusht 2000.
Burimet zyrtare të Policisë pohuan se i ekstraduari nga Milano, dyshohet të jetë autor i vrasjes së Juljan Çelës, e ndodhur në një lokal në Belgjikë më 17 mars 2002.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin e quajtur "Prehistori", në qytetin Antvrep të Belgjikës, kur Geron Hasabelli së bashku më vëllain e tij Erion Hasabelli kanë qëlluar me armë zjarri përkatësisht Juljan Çelën dhe Kasandër Nogën.
Nga atentati Juljani mbeti i vdekur. Nga të shtënat me armë me qëllim ekzekutimin e dy shqiptarëve, ka mbetur i plagosur rëndë Kasandër Noga, i cili shoqëronte viktimën në momentet e ngjarjes.
Noga, ish -student i Akademisë së Policisë, është i njohur nga drejtësia Shqiptare dhe ëshjtë dënuar me burgim të përjetshëm si autor i masakrës së "Sanatoriumit", ndodhur disa vite më parë.
Hasmëria midis Juljan Çelës dhe vëllezërve Hasabelli, zë fill në vitin 2000, ku sipas të dhënave, Kasandër Noga në atë kohë student i Akademisë së Policisë, bashkë me Çelën, ka vrarë babain e dy vëllezërve Hasabelliu, si dhe ka plagosur dy të afërm të këtij të fundit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 19 gusht të vitit 2000, ku Kasandër Noga, pasi ka hyrë në një nga dhomat e "Sanatoriumit" në Sauk të Tiranës, ka qëlluar për vdekje me automatik, Aqif Hasabellin si dhe Dritan Hasabellin, duke i lënë të dy të vdekur në vend. Nga të shtënat me armë kanë mbetur të plagosur dhe tre persona të tjerë, Agron dhe Gentian Hasabelliu si dhe një person tjetër që është gjendur rastësisht aty. Pas krimit i ekstraduari i djeshëm ka tentuar të hakmerret në Belgjikë, ndaj personave që i ekzekutuan babain dhe i plagosën dy të afërm.
Nga sulmi i këtij të fundit me armë ka gjetur vdekjen vetëm personi që shoqëroi ekzekutorin e dy të afërmeve të tij. Nga të shtënat me armë në Antvrep të Belgjikës, Kasandër Noga mbeti i plagosur rëndë. Pas krimit të rëndë të ndodhur nëntë vjet më parë, Juljan Çela është larguar në Belgjikë dhe më pas në Itali, për t'i shpëtuar drejtësisë shqiptare.
Për ngjarjen e ndodhur në Belgjikë, ku mbeti i vdekur Juljan Çela dhe u plagos Kasandër Noga, Interpol Tirana dhe Interpol Roma, e kishin shpallur këtë person në kërkim ndërkombëtar për akuzën e vrasjes me paramendim. Ndaj tij Gjykata e Fierit ka vendosur më 15 shtator 2008, masën e arrestit me burg për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje.
Mbytet në liqenin e Kasharit 11- vjeçari
TIRANE- Një fëmijë ka mbetur i mbytur dje paradite në liqenin e Kasharit, në perëndim të kryeqytetit, pasi kishte shkuar të lahej me shokë të tij. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, kur Paris Bajrami, 11 vjeç, ka hyrë për t'u larë në liqen, por nuk ka mundur të dalë në breg. Në ndihmë të tij, janë futur disa të afërm të viktimës të cilët kanë mundur ta nxjerrin në breg trupin e tij, por pa mundur t'i shpëtojnë jetën. Në vendin e ngjarjes, ka mbërritur një grup ekspertësh për të hetuar ngjarjen. Nga veprimet e kryera nga ekspertët e policisë si dhe nga specialistët e hetimit është konstatuar se fëmija 11- vjeçar ka ndërruar jetë për shkak se në brendësi të ujërave të liqenit, kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme uji. Sapo trupi i viktimës është nxjerrë nga uji, ai është nisur për ndihmë në drejtim të spitalit ushtarak ku edhe ka ndërruar jetë, për shkak se gjendja e tij ishte rënduar. Pas kryerjes së hetimit, policia ka konfimuar se vdekja ka ardhur për shkak të mbytjes në ujë.