Fier, dhunohet pronari i radios lokale
SHERRI/ Keidi Velçani është rrahur nga disa persona në kohën që flinte në ambientet e radios
Petrefi, babai i 21-vjeçarit, e ka cilësuar të papranueshme dhunimin e një institucioni mediatik
FIER - Një 21-vjeçar, pronar i një radioje private në qytetin e Fierit, është rrahur teksa ndodhej në ambientet e stacionit.
Policia ka vënë në pranga dy të rinj, të cilët janë identifikuar si autorët e dhunës së ushtruar, ndërsa babai i Keidi Velçanit është shprehur se ngjarja ka ndodhur menjëherë pas një emisioni politik të zhvilluar në radion që ai drejton. Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë shprehen se rrahja e pronarit 21-vjeçar ka ndodhur për motive banale.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 11:00 të paradites së djeshme në lagjen "Apolonia". Familja e Petref Velçanit ka përshtatur një ambient të apartamentit të vet si studio për një radio private. Sipas kryefamiljarit, njëkohësisht edhe drejtor i radios, ai sapo ishte larguar pas një emisioni politik me të ftuar në studio në një takim me drejtorin e policisë së Fierit.
Të birin, i cili kishte punuar deri vonë, e kishte lënë duke fjetur. Por ndërkohë që priste realizimin e takimit, pikërisht për një problem që 21-vjeçari kishte pasur një ditë më parë me disa të rinj, ai ishte njoftuar se i biri ishte shtruar në spital për shkak të dhunës që ishte ushtruar mbi të nga disa persona.
"Im bir ka qenë shtrirë kur është hapur dera e studios dhe brenda saj kanë hyrë disa persona, të cilët e kanë masakruar duke e qëlluar në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.
Nuk e kuptoj, - thotë Velçani, - se si mund të dhunohet një institucion, sepse po flasim për një institucion mediatik. Unë drejtoj çdo mëngjes një emision politik rreth një orë e gjysmë dhe jam gazetar prej vitesh. Kam njoftuar edhe policinë për personat tek të cilët dyshoj. Pres që vetë uniformat blu të japin një version për këtë dhunë të ushtruar ndaj tim biri",- përfundon Petref Velçani.
Policia
Në orët e pasdites, policia në njoftimin e saj zyrtar ka bërë të ditur se ka arritur të identifikojë dy prej personave që kanë rrahur dhe goditur me mjete të forta Keidi Velçanin. Sipas bluve, dy prej dhunuesve të identifikuar janë 22-vjeçari Radi Allaraj, banues në Tiranë, dhe Isuf Çela, 25 vjeç, banues në Fier.
Këta persona, si dhe bashkëpunëtorët e tyre janë shpallur në kërkim, por ende nuk janë vënë në pranga. Ndërkohë, sipas policisë, shkak për dhunën e ushtruar ndaj 21-vjeçarit kanë qenë motivet e dobëta.