E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi ambasadorin Minarolli me grusht, 1 milion lekë gjobë ish-konsullit

DISHNICA


TIRANË- Pas 38 seancash gjyqësore, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka vendosur se ish-konsulli i Janinës, Faik Dishnica, është fajtor për grushtimin e ambasadorit shqiptar në Greqi, Vili Minarolli. Sipas vendimit të dhënë, i pandehuri ka konsumuar veprën penale të "goditjes për shkak të detyrës", për të cilën u dënua me 1 milion lekë gjobë.


Ndërkohë, vetëm 15 ditë më parë, prokurori i çështjes gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata deklarimin fajtor të Dishnicës dhe dënimin e tij me 6 muaj heqje lirie. Ndërsa përfaqësuesi ligjor dhe vetë i pandehuri i këtij procesi, kërkuan pafajësi me pretendimin se "ka qenë ambasadori Minarolli ai që e ka goditur Dishnicën, dhe jo ky i fundit atë".


Mirëpo, ky pretendim nuk u faktua para gjykatës dhe i pandehuri u dënua me 1 milion lekë gjobë.


Sipas vendimit, çarja e marrëdhënieve të punës mes ambasadorit dhe ish-konsullit të Janinës ka filluar pas shkarkimit të këtij të fundit nga Ministria e Jashtme më 26 janar 2007, pasi dyshohej se në bashkëpunim me sekretaren e tij kishte ndihmuar persona me precedentë penalë për t'u pajisur me pasaportë shqiptare, fakt ky që nuk u provua edhe pas hetimit të filluar nga Prokuroria e Tiranës.


Që nga dita e shkarkimit, Dishnica nuk ishte paraqitur në punë, për t'u kthyer në fillim të korrikut 2007 dhe duke kërkuar nga Ambasadori Minarolli të firmoste ditët e lejes. Por ky i fundit e ka kundërshtuar firmosjen, duke urdhëruar të pandehurin të dilte nga zyra, gjë që ka sjellë debate mes tyre, për të përfunduar me goditjen në fytyrë të ambasadorit.

DOSJA
Lazaratasit në gjyq për 500 kg hashash, i shitën drogë agjentit


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy të pandehurve lazaratas Beqir e Hasan Avduli, të cilët pranuan t'i shesin 505 kg hashash një agjenti të policisë të kamufluar si blerës droge.


Dosja penale që ka si të pandehur dy pjesëtarët e një familjeje lazaratase, konkretisht xhaxhanë dhe nipin, ndodhet në duart e pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova.


Të pandehurit akuzohen për "trafikim të lëndëve narkotike" të mbetur në tentativë në bashkëpunim. Me datë 24 shkurt 2009, Beqir e Hasan Avduli kanë kontaktuar me një agjent të kamufluar si "blerës droge", që u ka kërkuar 505 kg hashash për dërgimin e tyre në Angli.


Pasi kanë rënë dakord për pazarin, të pandehurit e kanë siguruar dhe paketuar hashashin në pako e çanta të mëdha. Takimi mes tyre është lënë mëngjesin e datës 8 mars 2009, ku në dalje të fshatit Lazarat do të dorëzohej malli me paratë. Rreth orës 5 të mëngjesit, teksa furgoni me targa GJ 7320 A i mbushur me hashash po dilte nga fshati, kanë ndërhyrë forcat e RENEA-s, duke i arrestuar në flagrancë të dy të pandehurit.


Më pas, është kryer edhe kontrolli në banesën e xhaxhait e të nipit Avduli në hyrje të fshatit Lazarat, ku është sekuestruar edhe sasia tjetër e hashashit, që në total kap shifrën e 505 kg e 535 gram hashash të presuar. Pritet që togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda të caktojnë datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore ndaj të pandehurve.

-------------------------------------------------------------------------------------------------------

Gjendet i vdekur në shtëpi 56-vjeçari


GRAMSH - Një 56-vjeçar është gjetur pa jetë në shtëpinë e tij në fshatin "Skënderbegas" të rrethit të Gramshit. Fqinjët e shtetasit Fletur Skora kanë trokitur në derën e tij rreth orës 09:30, mëngjesin e djeshëm dhe kur ai nuk është përgjigjur, kanë hyrë duke zbuluar në krevat pa jetë trupin e tij.


Nga grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje mësohet se në trupin e 56-vjeçarit nuk kishte shenja të jashtme dhune. Ai jetonte prej kohësh i vetëm, pasi fëmijët e tij ishin emigrantë në Itali. Paraprakisht mendohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, por megjithatë pritet kryerja e autopsisë për të dhënë një përgjigje më të saktë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›