Dosja Hoxha, Apeli vendos arrest për Ilir Kumbaron
TIRANE- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka vendosur dje të lërë në fuqi masën e arrestit me burg për ish-shikasin Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Ish-shikasi Kumbaro ndodhet në gjendje të lirë, pasi autoritetet britanike e liruan për shkak se Gjykata e Lartë shqiptare, me një vendim të mëparshëm kishte shuar masën e sigurisë "arrest me burg" marrë ndaj tij në vitin 2004, me arsyetimin se kishin kaluar afatet ligjore, çka kishte sjellë për pasojë dhe humbjen e fuqisë së saj.Me vendimin e djeshëm gjykata e Apelit la në fuqi vendimin që Gjykata e Krimeve të Rënda mori në mes të dhjetorit të vitit të kaluar.Avokatët e Ilir Kumbaros në Tiranë, thanë se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë.Do të jetë gjykata britanike e cila do të marrë në shqyrtim në një proces tjetër gjyqësor vendimin e drejtësisë shqiptare për riarrestimin e më pas ekstradimin e Ilir Kumbaros. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin kanë rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur biznesmenin Remzi Hoxha në vitin 1995, në Tiranë. Gjithashtu, tre të pandehurit akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda ndaj Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt.(s.g/BalkanWeb)