E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e borës, përkeqësohet situata në qarkun e Dibrës

DIBëR- Përkeqësohet situata nga reshjet e borës në qarkun e Dibrës. Aksi rrugor nga Peshkopia në Bulqizë është problematik. Makinat lëvizin vetëm me zinxhirë ndërkohë që reshjet e borës vazhdojnë të bien. Moti i keq dhe me reshje të dendura bore ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve, por edhe në lëvizjen e banorëve në mjaft komuna në Qarkun e Dibrës dhe jo vetëm. Bora ka pushtuar pjesën më të madhe të komunave veriore. Në rrethin e Bulqizës janë bllokuar disa komuna dhe fshatra, ndërsa qarkullimi kryhet me vështirësi si pasojë e akullit, duke shkaktuar edhe një aksident të rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri. Një nga komunat më problematike vazhdon të mbetet ajo e Lurës, si edhe Kalaja e Dodës, ku bora ka arritur trashësinë 50 cm. Edhe për komunat Selishtë, Trebishtë, Ostren të rrethit të Bulqizës është paraqitur e njëjta situatë, ku edhe këtu bora arrin të njëjtën trashësi. Në komunën Zercan bëhet fjalë për dy fshatra, Ternova e Madhe dhe Ternova e Vogël, ku bora ka izoluar tërësisht rreth 200 banorë të kërcënuar edhe nga i ftohti, pasi trashësia i kalon 70 cm.Situata në rrethin e Matit duket se ka pasur një dritë jeshile përsa i përket hapjes së rrugëve, pas fillimit të reshjeve të shiut, të cilat kanë shkrirë dëborën duke lejuar në këtë mënyrë qarkullimin e automjeteve. Komunat Macukull dhe Xibër deri në orën 10:00 të paradites së sotme ishin të bllokuara. Deri më tani nuk ka pasur mungesë të energjisë elektrike. Përsa i përket aksit nacional Peshkopi-Bulqizë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Në Qafën e Buallit, një nga më të rrezikshmet në qarkullimin e automjeteve, janë vënë në dispozicion 2 borëpastruese.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›