Murinjo s’do alibi: Me Kievon, 3 pikë
MILANO- Interi është skuadra e parë që do të zbresë në fushë në javën e 18-të të Serisë A, kur të përballet të mërkurën në mesditë me Kievon në Verona. Zhoze Murinjo kërkon ta nisë vitin 2010, ndonëse do të ketë një skuadër të cunguar në dispozicion. “Në mesfushë i kemi njerëzit të numëruar, megjithatë nesër (sot) dua patjetër 3 pikë. Asgjë tjetër”, deklaroi tekniku portugez përpara takimit të nesërm. Në lidhje me mungesën e Etosë, ai u shpreh: “Samuel këtë muaj është lojtar i Kamerunit edhe pse rrogën ia paguajmë ne. Nuk dua të flas për të, askush nuk do më dëgjojë të them se nuk shënuam ngaqë mungonte Eto”. Ndërkohë, në media është duke u folur shumë për një largim të Patrik Vieira drejt Mançester Sitit. “Sa mundësi ka që ai të qëndrojë? Shumë pak”, tha Murinjo. Në lidhje me Pandev, portugezi u shpreh i kënaqur: “është një sulmues që mund të luajë në çdo rol. A do të luajë ndaj Kievos? Po, por nuk e di sa minuta”.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)