Jashte qarkullimi kartemonedhat 500 lekeshe te vjetra
TIRANE- Banka e Shqipërisë ka vendosur të heqë nga qarkullimi dy tipet e vjetra të kartëmonedhës 500-lekëshe, ndërkohë që do të vazhdojë të përdoret vetëm prerja dhe emetimi më i fundit. Deri në datën 30 qershor të këtij viti qytetarët mund të përdorin si më parë kartëmonedhën 500-lekëshe, që në pjesën e përparme ka një grua me një luledielli pranë, vlerën të spostuar në të djathtë, kombinuar me një ornamentikë, ndërsa prapa është dhënë një peizazh malor i Shqipërisë. Po kështu, 30 qershori do të jetë afati i fundit edhe për 500-lekëshin që në pjesën e përparme riprodhon portretit e Naim Frashërit, shoqëruar me vlerën në qendër, ndërsa prapa është vendosur një libër, brenda të cilit duket një peizazh malor. BSH jep afat deri në fund të këtij viti për të grumbulluar në banka edhe ato kartëmonedha që kanë mbetur në dispozicion të qytetarëve. Nga fillimi i vitit të ardhshëm, ato do të humbasin çdo lloj vlere ligjore dhe do të përdoret vetëm 500-lekëshi me figurën e Ismail Qemalit, kartëmonedhë me elementë sigurie të cilësisë së lartë, me përbërje pambuku.(s.g/BalkanWeb)